zoom

Lajme

Zgjedhjet e 11 majit/ Cilat janë tre koalicionet e regjistruara nga KQZ?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi këtë të martë tre koalicione në garë për zgjedhjet e 11 majit.

Partia më e madhe në opozitë, ajo e demokratëve ka vendosur të krijojë një front të përbashkët opozitar, në bashkëpunim me Partinë e Lirisë dhe 24 aleatë të tjerë.

Koalicioni mes tyre, i regjistruar sot në KQZ, quhet Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Pjesë e koalicionit do të jetë edhe Shpëtim Idrizi, kryetari i PDIU, Fatmir Mediu, Agron Duka e Vangjel Dule.

“Ne kemi deklaruar qëndrimin tonë dhe kemi ftuar të bashkohen me ne, të gjitha ato forca politike që sot konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe për Shqipërinë.

Dhe e kemi quajtur këtë një bashkim për kauzën kryesore. Dhe kjo ka ndodhur. Ne kemi ftuar edhe parti të tjera, të cilat nuk kanë ardhur për arsye që ato do t’ua shpjegojnë zgjedhësve. Ne u kemi bërë të qartë atyre se largimi i të keqesë më të madhe të shqiptarëve, Edi Ramës, duhet të jetë misioni i çdo force politike që konsideron veten opozitare.

Por, të konsiderosh veten opozitar, duhet të ndjehesh i tillë dhe duhet të kesh lirinë për ta ndjerë. Një koalicion shumë i mirë u bë, natyrisht në këtë koalicion vërtet PD ka dhënë 8 vende në listat e garantuara, por demokratët dhe mbështetësit tanë duhet ta dinë se këto 26 parti në tërësinë e tyre përfaqësojnë herë-herë edhe një të tretën e elektoratit shqiptar.

Pavarësisht se të marra veçmas janë parti modeste në votat e tyre, por të marra së bashku kanë një elektorat qindra mijëra votash. Dhe unë u them se kjo është një fitore e vërtetë e aleancës për Shqipërinë Madhështore”, deklaroi Sali Berisha sot për koalicionin opozitar.

Po ashtu, KQZ miratoi edhe regjistrimin e koalicionit Djathtas për Zhvillim të Enkelejd Alibeajt e Dashamir Shehit dhe Nisma Shqipëria Bëhet të Adriatik Lapajt e Endrit Shabanit.

Partia Socialiste do të futet në garë e vetme, pa asnjë koalicion, ashtu si PSD, Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe partia e re e Lulzim Bashës.

Pas regjistrimit të koalicioneve, partitë kanë afat deri më 12 mars të regjistrojnë kandidatët për deputetë./ Zoom.al

Postime të lidhura