zoom

Politikë

Zëvendësimi i Taulant Ballës/ Gjiknuri: Riorganizim më i mirë, jo për të ulur ose ngritur dikë

Kryeministeri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbledhur sot Sekretariatin e ri të PS-së. Vetëm pak ditë më parë gjatë Asamblesë Kombëtare, Rama njoftoi ndryshimet brenda partisë.

Mbledhja e Ramës është vetëm me Sekretariatin e ri dhe jo me grupin parlamentar.

Më 2 shtator, kryeministri Rama para se të njoftonte emrat e ministrave të rinj për kabinetin qeveritar të mandatit të tretë, propozoi ndryshimet në sekretariate.

Damian Gjiknurit i besoi postin e Sekretarit të Përgjithshëm në vend të Taulant Ballës. Disa ministrave të kabinetit të dytë gjithashtu i besoi poste si Blendi Klosit Sekretar Organizativ, Anila Denaj Sekretare e Burimeve Njerëzore, Etilda Gjonaj Sekretare e Gruas.

Po ashtu Etien Xhafajt i besoi Sekretariatin Dixhital, Romina Kukos Sekretariatin e marrëdhënieve me jashtë në PS ndërsa Sekretariatin e Punës së PS me Rininë ia besoi studentes 20-vjeçare Bojkena Basha.

Tre ditë më parë PS propozoi Ramën për kryeministër te Presidenti Meta, ndërsa kjo mbledhje tashmë vjen vetëm 3 ditë nga sesioni i ri parlamentar më 10 shtator.

Pas mbledhjes në një prononcim për media Gjiknuri ka thënë se puna e PS-së do të fokusohet tek analiza postzgjedhore dhe ristrukturimi i partisë. Ai garantoi se me fillimin e vitit 2022 PS do të ketë një statut dhe riorganizim të ri.

”Do të ndërtohet një proces, analizat postzgjedhor dhe për të ristrukturuar partinë për të përballuar sfidën. Mandati i tretë është gjithmonë i vështirë, qeverisja ka koston e saj dhe puna ku duhet të bazohet PS dhe angazhimi do të jetë garanci që kjo parti të mbetet parti lider në politikë bërjen.

Qëllimi i afatit është përmbyllja e analizave të Kongresit në qershor, njëkohësisht doi vlejë gjithë ekipit të PS për projeksionin e ri, është afat i mjaftueshëm dhe për të dalë me një platformë që do vite për tu implementuar. Partitë përballimin e tyre apo testimin e aftësive e kanë kur vijnë zgjedhjet, do të kemi brenda 2 vjetësh zgjedhje, dhe pas 4 vitesh. Është koha e mjaftueshme për të testuar organizimin e ri.

Do të zgjasë deri në fund të vitit, fillimi i vitit do e gjejë PS edhe me një statut të ri dhe organizim të ri. Sfidat që kërkon mandati i tretë, e ka thënë dhe Rama, është i vështirë, PS ka eksperiencë. Duhet të reflektojmë. Ka dhe probleme që duhet të reflektojmë.

Nuk e di pakënaqësinë. Brenda një organizate ka dhe pritshmëri të ndryshme. Janë gjëra të një prcesi që do të vazhdojë e do të fashitet rrugës. Nuk shoh ndonjë problem”, tha Gjiknuri.

Ai ka marrë tashmë zyrtarisht pozicionin që e mbante Taulant Balla, por për Gjiknurin kjo lëvizje është bërë për riogranizim të ri e jo për të ulur dikë apo ngritur dikë.

”Z.Balla ka një detyrë shumë të rëndësishme, mendoj ndarja e dy funksioneve gjithmonë është bërë për në funksion të riorganizimit më të mirë, s’ka pasur qëllim të zvogëlojë dikë apo të rrisë dikë tjetër”, deklaroi ai.