zoom

Bota

Zemërohet Mitsotakis, gazetarja e kritikon live: Pse gënjen!

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e pati të vështirë të përmbante zemërimin gjatë konferencës për shtyp me homologun holandez Mark Rutte në Athinë. I pari i Athinës u përfshi në një debat të nxehtë më një gazetare holandeze, e cila kritikoi politikat e migracionit të qeverisë së tij, dhe e akuzoi për abuzime narciste me refugjatët.

“Zoti kryeministër Mitsotakis, kur do të hiqni dorë nga gënjeshtrat. Gënjeshtrat për sprapsjet me forcë, për atë që po u ndodh refugjatëve në Greqi. Ju lutem mos e fyeni inteligjencën time apo të të gjithë gazetarëve ne botë. Ka të dhëna dërrmuese dhe ju vazhdoni të gënjeni. Ky është një abuzim narcist. Pse nuk jeni i ndershëm; pse nuk thoni se Brukseli na la vetëm . Ne pritëm për 6 vite dhe askush nuk bëri asgjë…Tani vendosim ne dhe po, unë po i kthej me forcë në mënyrë barbare emigrantët”, pyeti gazetarja holandeze Ingeborg Beugel.

Gazetarja holandeze i referohej pretendimeve të grupeve për të drejtat e njeriut dhe organizatave të ndryshme përfshirë UNHCR, se Greqia po kthen në mënyrë të paligjshme në Turqi, azilkërkuesit që mbërrijnë në kufijtë e saj tokësorë dhe detarë.

Mitsotakis, partia e të cilit erdhi në pushtet në vitin 2019 mbrojti me forcë politikën e migracionit, ndërsa e akuzoi gazetaren për mungesë respekti.

“E kuptoj se Holanda ka kulturën e bërjes së pyetjeve të drejtpërdrejta për politikanët, çka unë e respektoj shumë. Ajo që nuk pranoj është që ju të vini në këtë zyrë dhe të më fyeni mua dhe popullin grek me akuza që nuk mbështeten nga faktet”, iu përgjigj kryeministri grek, Mitsotakis.

Mitsotakis tha se autoritetet i ndalonin varkat në det, në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian dhe se u kishin dhënë azil 50 mijë njerëzve, përfshirë dhjetëra mijëra afganë. Gazetarja e ndërpreu për t’i thënë se kushtet në kampet greke ishin të tmerrshme, duke zemëruar edhe më shumë Mitsotakis.

“Shiko, nuk mund të vish në këtë godinë dhe të më fyesh mua. A jam i qartë për këtë?”- u shpreh Mitsotakis.

Kryeministri grek tha se kushtet në kampin e Samos, të financuar nga BE, nuk kishin të sharë dhe theksoi se nuk do të pranonin më asnjë kritikë ndaj qeverisë së tij për sjellje çnjerëzore ndaj emigrantëve.