zoom

Bota

Zelensky: Gati të jap menjëherë dorëheqjen nëse Ukraina futet në NATO

Volodymyr Zelensky thotë se është gati të japë “menjëherë” dorëheqjen në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Presidenti ukrainas e ka bërë këtë deklaratë gjatë përgjigjes së pyetjeve në përfundim të forumit “Ukrainë: Viti 2025”.

I pyetur se çfarë garancish sigurie kërkon nga Trump, ai tha: “Nëse më duhet të largohem nga kjo karrige, jam gati ta bëj këtë dhe madje mund të shkëmbej qëndrimin tim për anëtarësimin e Ukrainës në NATO”.

“Do të isha i lumtur të hiqja dorë nga presidenca nëse do të ishte për paqen e Ukrainës” – shtoi ai. Duke theksuar se tani ai është i fokusuar në sigurinë e Ukrainës tha se nuk synon të mbetet president për një dekadë.

Në një konferencë për shtyp, Zelensky tha se ishte “mirënjohës” për mbështetjen e administratës Biden dhe Trump, por shtoi se ai priste “mirëkuptim” nga presidenti aktual amerikan për garancitë e sigurisë. “Unë dua që të ketë mirëkuptim të ndërsjellë me Trump”, – shtoi ai.

Zelensky shpjegoi se ai e kishte ftuar Trumpin në Ukrainë, por shtoi se “për fat të keq, ende nuk ia kemi dalë. Ndoshta ai do të vijë ose ndoshta unë do të shkoj në Uashington dhe do të jetë shumë e dobishme” – shpjegoi ai.

Presidenti ukrainas tha se dëshiron të takohet me Trump përpara se presidenti amerikan të takohet me Vladimir Putin për të trajtuar gjithashtu edhe dosjen e mineraleve të rralla. “Ne duhet të takohemi dhe të flasim për këtë. Mendoj se ky takim duhet të jetë i drejtë, që do të thotë përpara se Trump të takohet me Putinin” – shtoi ai.

Zelensky tha se Kievi dhe Uashingtoni janë më afër një marrëveshjeje për qasjen e SHBA në burimet minerale të Ukrainës në këmbim të ndihmës për sigurinë.

“Ne po bëjmë përparim” – tha Zelensky. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se “nuk do të nënshkruajë diçka që do të paguhet nga dhjetë breza ukrainas”, duke iu referuar kërkesës së Trump për 500 miliardë dollarë, të cilën Kievi e konsideroi të tepërt.

“Ne jemi gati të ndajmë” burimet, shtoi lideri ukrainas, i cili megjithatë pret që Uashingtoni së pari të sigurojë që Putini do “t’i japë fund kësaj lufte”.

Ndërkohë, një zyrtar rus tha se raundi tjetër i bisedimeve SHBA-Rusi do të zhvillohet në fund të javës së ardhshme. Bisedimet, shtoi ai, do të jenë në nivel të drejtorëve politikë.

I dërguari i Trump për Lindjen e Mesme Steve Witkoff tha këtë në një intervistë për CNN se “lufta, pavarësisht se kush e filloi, duhet të përfundojë. Presidenti dëshiron të jetë një paqebërës” – shtoi ai. Witkoff tha se pret që marrëveshja për mineralet me Ukrainën të nënshkruhet këtë javë.

Postime të lidhura