zoom

Ekonomi

“Zbutet qeveria”/Pranon t’i rrisë pagat deputetëve dhe ministrave, ja sa do të marrin tani

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj pranoi në komisionin e Ekonomisë që ministrat dhe deputetët të afektohen nga rritja e pagës që hyri në fuqi më 1 prill 2023.

Me vendimin e ri deputetët do të paguhen me 310.250 lekë, ndërsa ministrat 318.750 lekë. Kryetari i Kuvendit, 393 mijë lekë.

Projektligji u miratua nga të gjithë deputët dhe ndryshimet u dakordësuan dhe nga presidenti i vendit.

Deputeti demokrat Agron Shehaj, para se të dakordësoheshin me qeverinë, replikoi me ministren duke e quajtuar tallje këtë reformë, pasi deputetët po votonin rritjen e pagave për këdo, përveç se për ato vetë.

“Këshilltarja juaj do të rezultojë me rrogë më të madhe se ju, ju mendoni se kjo është e drejtë? Një drejtor të ketë rrogë më lartë se ministrja apo deputeti? Apo ju nuk keni nevojë për rritje rroge dhe do ta sakrifikoni atë për popullin”, ironizoi Shehaj.

Nga ana tjetër edhe deputeti socialist Erion Braçe e kritikoi projektligjin dhe diferencimet që bëhen në të. Braçe është shprehur se është për të ardhur keq që në sektorët si energjia apo ujësjellësit, pagat e drejtuesve janë disa herë më shumë sesa punonjësit.

“Shikoj me shqetësim një problem që duhet të adresohet, po të shikojmë rrogat e drejtuesve të kompanive të ndryshme me ato të punëtorëve është diferencë shumë e madhe dhe ky është një shqetësim. Nëse do të marrim ndërmarrjet elektroenergjitike, drejtuesit dhe punonjësit në bord dhe po të marrim elektriçistët dhe faturuesit dhe çdo kënd tjetër që është pjesë e kësaj ndërmarrje diferenca mes rrogës së titullarit është disa herë më e madhe. Ka edhe një ndryshim tjetër nëse ne drejtuesve të administratës publike të shtetit u rrisim dhe indeksojmë pagat thuajse vit për vit, punëtorëve të këtyre ndërmarrjeve nuk u është indeksuar paga. Po marr sektorin e energjisë, të ujit, të shërbimeve postare e të tjerë të këtij lloji. Patjetër që ne do të pasqyrojmë pagën e drejtuesve të lartë, por mendoj se duhet që të bëjmë një rregullim, se ju thoni se janë në treg dhe kanë konkurrueshmeri, këto të treja që ju thash veprojnë në kushte të monopolist. Për aq kohë sa nuk i konkurron dikush që të ruhet fuqia punëtore mos ta marrë kush atëherë duhet që të rregullohet. E rëndësishme është të përcaktohet si do të trajtohen rrogat e tyre ne raport me inflacionin. Çfarë do të ndodhë me to që janë njerëz të pambrojtur”, u shpreh i revoltuar Braçe.