zoom

Aktualitet

Zbulohet përndjekësi online, nga burgu i Francës shantazhoi dhe denigroi online 62 vajza shqiptare

Një 34-vjeçar nga Shqipëria kishte mundur të përndiqte online përmes një celulari nga një burg në Francë të paktën 62 vajza.

Pas denoncimeve të vazhdueshme për raste të përndjekjeve online në rrjetet sociale, policia thotë se janë siguruar prova të mjaftueshme për Fabjan Dodajn, i cili po vuan dënimin në një burg në Francësi dënuar për komplot kriminal, vjedhje etj.

Pas hetimeve ka rezultuar se 34-vjeçari është autori i këtyre përndjekjeve dhe ndaj tij janë ngritur disa akuza, si falsifikim kompjuterik, ndërhyrje në të dhënat kompkuterike, përndjekje etj.

Sipas policisë, Dodaj është zbuluar përmes impulseve dhe qelizave kompjuterike, të cilat pulsonin nga burgu në Francë, ku dhe u bë identifikimi.

Menjëherë pas kësaj, efektivët lajmëruan autoritetet franceze, të cilët ushtruan kontroll në qelinë e të riut, ku iu gjet një celular.

Fabjan Dodaj krijonte profile të rreme duke marrë fotografitë të vajzave të ndryshme dhe i denigronte në rrjetet sociale. Pas kësaj, ai i shantazhonte duke i kërkuar foto dhe video intime në kërkim të fshirjes së materialeve të publikuara prej tij.

“Pas identifikimit të interceptimeve kompjuterike që pulsonin nga burgu “Lyon Cobras”, në Francë, është bashkëpunuar me Interpol Tirana dhe autoritetet Franceze dhe është ushtruar kontroll në qelinë ku ndodhet shtetasi F. D., dhe gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar aparati celular që ky shtetas përdorte për veprimtarinë kriminale”, njoftoi policia.