Aplikacion
Personalisht nuk jam dakord që qeveria dhe bashkia të kujdesen si këtë herë për të zbukuruar qytetin ku jetojmë të gjithë.
Të gjitha këto përgatitje, ku pas 5 vjetësh p.sh. vendosën të vijëzojnë rrugën që të çon për të hoteli ku do të qëndrojnë personalitetet e Samitit, më duken farsë e ulët dhe e ndyrë propagande.
Do të isha më e lumtur nëse ne do të “turpëroheshim” përpara tyre nga balta që do iu ngjitej në këpucë. Këto i them jo sepse jam kundër dinjitetit se si duhet të prezantohet përpara të huajve vendi im, por për një tjetër arsye: shteti duhet që fillimisht të ketë respekt për qytetarin pasi atij i shërben, pastaj mund të vijnë prioritete të tjera siç është pritja e delegacioneve të samitit. Por më shumë se të gjitha, jam kundër përgatitjeve për shkak të fotografisë të “rreme” që po iu prezantohet të huajve. Sot, ata duhet të shohin se si jetojnë shqiptarët dhe përse po ikin. Le të “mbyten” pak edhe ata nga pluhuri, balta dhe betoni dhe të shohin se si po kafshohet përditë parku i vetëm i Liqenit Artificial.
Të shohin si parkohen makinat kudo, mbi trotuare, në mes të rrugës, ndërsa vendet e parkimit zaptohen çdo ditë nga biznese apo individë që japin kuotën mujore te polici i bashkisë. Të shohin koshat e mbushur plot me plehra, me mbetje të derdhura jashtë, ku nuk ke ku të vesh këmbën dhe të detyrojnë ose të mbash frymën kur kalon aty, ose të vraposh. Të shohin se si prindërit me karrocë mundohen dhe ecin në mes të makinave sepse lakmitarët e betonit i deshën edhe ato dy metra trotuar që të fitojnë dy lekë më shumë.
Përse të fshehim stresin, trafikun, zhulin e përditshëm? Le të dëgjojnë dhe ata boritë e makinave, le të ecin dhe ata në rrugët e zëna nga karriget e lokaleve dhe të shohin Tiranën që vetëm qytet nuk mund të quhet. Qyteti si koncept u ndërtua mbi frymën e komunitetit: hapësira të përbashkëta, kanalizime, ndërtime të organizuara, taksa që vihen në shërbim të të gjithëve. Vetëm të shohin 1 orë Tiranën e vërtetë do e kuptojnë se kujt i shërben qyteti: komunitetit apo bizneseve.