zoom

Aktualitet

Zbardhet vrasja në Tiranë. 24-vjeçarja u vra nga babai, ngjarja merr tjetër kthesë

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi Tiranën më 27 shkurt. Një 24-vjeçare palestineze, e identifikuar si Rayyan Alwan u gjet e vrarë me thikë në një banesë në rrugën “Gjon Muzaka”.

Fillimisht u raportua se e reja ishte vrarë nga bashkëshorti. Por sot, Policisë së Tiranës i kanë mbërritur dokumente nga Interpoli që konfirmojnë se Rayyan Alwan dhe autori Fadi Alwan në fakt janë babë e bijë.

Bëhet me dije se Interpol është duke ndjekur gjurmët e 49-vjeçarit Fadi Alwan, i cili dyshohet se fshihet në Liban.

Ekspertiza për vdekjen e vajzës nga Palestina ende nuk ka përfunduar nga instituti i mjekësisë ligjore.

Burime nga policia bëjnë me dije se nga këqyrja e kamerave ka rezultuar se të gjitha komunikimet, përfshirë ato në aeroport apo te shtëpia e marrë me qira i kryente vetëm i ati, pasi 24-vjeçarja nuk fliste.

Policia kishte dyshime se dy palestinezët kishin përdorur dokumente false, por deri më tani nuk ka rezultuar një gjë e tillë.

Autoritetet shqiptare akoma nuk kanë një shkak të qartë mbi arsyet që çuan 49-vjeçarin të thurte planin për vrasjen e së bijës dhe për këtë kërkohet me patjetër lidhja me familjarët e tjerë të familjes, në mënyrë që të merren në pyetje.

E reja u gjet e vdekur më 27 shkurt nga pronari që i kishte dhënë dhomën me qira në katin e tretë të një godine që ndodhet pranë njësisë numër 10 në Tiranë, në rrugën “Gjon Muzaka”./ Zoom.al

Postime të lidhura