zoom

Aktualitet

Ylli Rakipi, shembulli i degradimit të debatit publik dhe heshtja e turpshme përballë kërcënimit të një gazetari në studion e tij

Incidenti i fundit në emisionin “Të Paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi, ku anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga Partia Socialiste, Halit Valteri, kërcënoi gazetarin Enton Abilekaj me fjalët “të kap me shpulla, të palloj në dru, ta tregoj kur të dalim jashtë”, është një shembull i papranueshëm i degradimit të debatit publik dhe tolerimit të dhunës në ekranet shqiptare.

Roli i moderatorit Ylli Rakipi ishte kyç për të ruajtur standardet profesionale dhe për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë të ftuarit e tij dhe po ashtu edhe për të dalë publikisht në mbrojtje të gazetarit, i cili u gjend përballë kërcënimeve skandaloze për sigurinë e jetës vetëm për shkak të qëndrimeve të tij ndaj kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt.

Fatkeqësisht, Ylli Rakipi nuk bëri asgjë për të ndalur breshërinë e kërcënimeve dhe fyerveje të Valterit apo për të dënuar sjelljen e tij, aty “live” në studion e tij. Në vend që të merrte masa të menjëhershme, si largimi i Valterit nga studioja ose ndërprerja e emisionit për të qetësuar situatën, ai zgjodhi të mos ndërhyjë. “Ju lutem, ju lutem… po shiko tani…”, ishin të vetmet fjalë kur situata kaloi në një gjendje surreale.

Ky qëndrim i Rakipit, jo vetëm që minon integritetin e tij dhe të emisionit që drejton, por edhe dërgon një mesazh të gabuar për tolerimin e sjelljeve kërcënuese në media, veçanërisht ndaj gazetarëve.

Për më tepër, as të nesërmen e emisionit Rakipi nuk mbajti asnjë qëndrim publik për ngjarjen, duke e lënë të kuptohet se ai ose nuk e sheh problematike këtë sjellje, ose nuk guxon të kritikojë figurat politike që promovon në studion e tij, ose ai pastaj i fton qëllimisht për të bërë atë që bëjnë. Të paktën në rastin e Halit Valterit ai e di se bëhet fjalë për një recedivist të akteve të dhunës si në Parlament ashtu edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Vetë Rakipi ka marrë kërcënime në të kaluarën dhe ka pasur mbështetje publike nga kolegët gazetarë. Por përse ai nuk bëri të njëjtën gjë kur një koleg u kërcënua para syve të tij, për më tepër në studion e tij?

Shqetësuese është edhe heshtja e televizionit MCN, ku transmetohet ky emision. As ky televizion nuk mbajti asnjë qëndrim dhe nuk e distancoi veten nga sjellja e Halit Valterit. Teksa distancimi nga Ylli Rakipi duket larg mendsh, heshtja flet qartë për një mungesë të theksuar të etikës profesionale dhe tregon se, për MCN, një incident i tillë nuk përbën problem për sa kohë që nuk dëmton audiencën apo interesat e veta, madje i shërben audiencës përmes videove “virale” të shpërndara në rrjetet sociale.

Përtej mungesës së reagimit ndaj dhunës dhe kërcënimeve me jetë në studio, një tjetër problem shqetësues me emisionin “Të Paekspozuarit” është mënyra se si Rakipi shpesh fton personazhe politike apo të tjera me një qëllim të qartë: për të sulmuar kundërshtarët e tyre apo biznesmenë të caktuar.

Kjo qasje jo vetëm që bie ndesh me etikën gazetareske, por e bën të dyshimtë arsyen pse këto personazhe marrin hapësirë në emisionin e Ylli Rakipit.

Shpeshherë, Ylli Rakipi u jep mikrofonin individëve që kanë interesa të drejtpërdrejta për të sulmuar figura të caktuara, duke e bërë emisionin e tij një arenë për goditje të orkestruara në vend që të jetë një platformë për debat të ndershëm dhe profesional.

Përballë këtyre fakteve, gazetarët do të duhet ta dënojnë sjelljen e tij ose, të paktën ata si Enton Abilekaj që u kërcënua hapur në studion e tij, duhet ta bojkotojnë. Ata duhet ta kuptojnë sa s’është vonë se “kush po përdor kë” në atë studio dhe duhet të bëjnë dallimin mes një hapësire të lirë televizive dhe një frëngjie të lirë për të qëlluar ndaj kujtdo. Përndryshe, duke vazhduar t’i shkojnë në studio, do ta kompromentonin vetë integritetin e tyre.

Ky rast është një tjetër shembull i shkatërrimit të standardeve të gazetarisë në Shqipëri, me një moderator që nuk reagon kur një gazetar kërcënohet në studion e tij, me një televizion që hesht për një akt të tillë dhe me një kulturë debati që po zhytet gjithnjë e më shumë në banalitet e tashmë edhe në kërcënime fizike.

Në vend që të jenë hapësira për diskutim dhe përballje argumentesh, disa emisione televizive po shndërrohen në platforma për sulme të orkestruara dhe drejtuesit e tyre janë gati të mbyllin sytë, veshët e gojët për hir të realizimit të qëllimeve që kanë. Ylli Rakipi e ka pranuar vetë se si e ka përdorur në të kaluarën misionin e gazetarit dhe gazetarinë. Kur ishte drejtor i gazetës “Albania” ai tha se kishte gënjyer mbi autorët e skandalit të hapjes së digës së Liqenit Artificial të Tiranës, që shkaktoi përmbytje të qindra familjeve, vetëm pse ia kishte kërkuar kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. /Zoom.al

Postime të lidhura