zoom

Aktualitet

Xhaxhai i shefit të sigurisë: Shpëtoi 25 persona, vetë ka 7 orë i bllokuar nga flakët. Çfarë t’i them djalit të tij

Mbetet mister fati i shefit të sigurisë Arjan Sala që dyshohet se ka mbetur i bllokuar te magazina që u përfshi nga zjarri pranë mbikalimit të Kamzës, pasditen e sotme.

Xhaxhai i të riut ka folur për mediat duke bërë apel që të shtohet numri i forcave të emergjencës.

Sipas tij, pasi ra zjarri në magazinë, Arjan Sala nxorri nga ambienti i nëndheshëm 25 punonjës të tjerë dhe më pas u rikthye për të hapur edhe hidrantin kundër zjarrit.

Por në atë moment ai humbi kontaktet dhe nuk e ka parë askush e nuk përgjigjet në telefon. Dyshohet se 33-vjeçari ndodhet i bllokuar ose i asfiksuar nga tymi.

I riu është prind i një djali 2 vjeç dhe kishte disa vite që punonte në sektorin e sigurisë në këtë magazinë, ndërsa tashmë ishte përgjegjës.

“Shteti të ngrihet në këmbë dhe mos flejë gjumë, të zgjohen nga gjumi dhe të vënë në lëvzje çdo lloj instance dhe të gjejnë djalin. Thonë nuk kemi arritur të futemi dhe të kontrollojmë zonën se është e paarritshme. Sot më rastisi që të shoh në çfarë gjendje e kemi shtetin. Sot po shoh që nuk janë aty ku duhet të jenë. Ai ka shpëtuar mbi 25 veta, kush ka qenë aty poshtë i ka nxjerr të gjithë. Ka hapur dhe hidrantin për të fikur zjarrin, pjesa tjetër nuk dihet. I bëj apel shtetit, ju lutem të vijnë dhe 15 të tjerë. Ku do shkosh 3 zjarrfikës në 1 mijë metër katrorë sipërfaqe. Grupi i fundit ka ardhur në 7 e gjysmë, 8 (20:00). Edhe një herë më shumë le të vijnë. Ta gjejnë se një prind me fëmijë 2 vjeç. Një djalë dyvjeçar e pret në shtëpi, çfarë do i themi nesër? Ne që jemi gjallë po shpërthejmë, jo më ai që jeton apo s’jeton akoma”, tha xhaxhai i shefit të sigurisë së magazinë.

Objekti u përfshi nga flakë të mëdha të zjarrit rreth orës 16:40.