zoom

Aktualitet

Wizz Air, a ia vlen? Kaos me fluturimet. Shqiptarët nisen për Belgjikë, përfundojnë në Francë

Qindra qytetarë shqiptarë përjetuan një tjetër udhëtim shqetësues me kompaninë e fluturimeve low cost, Wizz Air.

Fluturimi i linjës Tiranë – Bruksel (Charleroi) u ndërpre në mes për shkaqe ende të panjohura.

Një pasagjer njoftoi në rrjetet sociale se avioni i Wizz Air nuk ishte pranuar të ulej në Belgjikë dhe u detyrua të ulej në Lilë të Francës.

Pjesën tjetër të udhëtimit, sipas pasagjerit, ata u detyruan ta bëjnë me autobus.

Por veç kësaj, nën denoncimin e tij qytetari tha se një pasagjer u arrestua për shkak se nuk kishte të drejtë të hynte në Francë, si pasojë e një dëbimi të mëparshëm nga autoritetet, por mund të udhëtonte lirisht në Belgjikë.

Denoncimi i pasagjerit

Pshd gjith shqiptarve. Sot jemi nisur nga Tirana per ne Charleroi me companin Wizzer nisja ishte ne 19h30 nga tirana . Avioni erdhi me vones 1 ore , Pasi hypen ne avion airoporti Charleroi nuk pranoj qe te bente uljen . Te gjith nuk pranuam qe te zbresim nga avioni moren masa tjera dhe avioni u nis por mbas 2h udhetim na than qe avioni nuk ulet ne Charleroi por ne france lille. Problimi esht se shum veta skan pas drejt te hyjn ne France per problemet personnale dhe jan arrestuar . Duhet te keni shum kujdes me kompanin Wizzer . Peshendes at djalin e ti qe u arrestua nga policia i dhem qe mos e vrit menjen fjeten e ke fales dhe ushqimin . Ne po presim akoma atobuzin per me na derguar ne Charleroi. Avioni nuk esht ulur fare ne belgjik n’a derguan ne France. Pas asnje lajemerim. Jemi akoma ne pritje te atobuzave per ne belgjik 240persona afersisht

Në pak muaj që operon në Shqipëri, ku u prezantua me shumë zhurmë nga kryeministri Edi Rama, Wizz Air po u shkakton probleme nga më të ndryshme shqiptarëve që kërkojnë një biletë më të lirë udhëtimi se kompanitë e tjera.

Vonesat janë të zakonshme, me disa orë. Lëniet nëpër aeroporte, veçanërisht në udhëtimet e kthimit, nuk mungojnë dhe kompania nuk merr asgjë përsipër, përveçse t’u rimbursojë biletën e kthimit, e cila në rastin më të mirë kushton rreth 60 euro. Ajo nuk interesohet t’u gjejë mundësi kthimi, por i braktis nëpër aeroportet e botës pa marrë asnjë përgjegjësi. Zoom.al raportoi pak ditë më parë se qindra shqiptarë u lanë në Spanjë se WizzAir as që e dërgoi avionin e saj për t’i marrë.

WizzAir raportohet të ketë probleme të tilla edhe në vende të tjera. Mediat hungareze shkruajnë se 4 ditë më parë, për të dytën herë në dy javë, Wizz Air ka braktisur 200 pasagjerë në aeroportin Orly të Parisit.

Një ditë më parë Daily Mail raportonte se Wizz Air i la për më shumë se 10 orë pasagjerët në aeroportin Getwick të Londrës dhe se askush nga kompania nuk u dha sqarime udhëtarëve që kishin prerë biletat.

Britanikët që fluturojnë me Wizz Air e kanë akuzuar linjën ajrore për ofrim të një “shërbimi të kobshëm”, shkruan Daily Mail.

Vetë aeroporti Getwick u tha udhëtarëve se pyetjet për vonesat prej 10 orësh duhet t’ia bënin Wizz Air.

Wizz Air ka pasur probleme edhe përpara se niste fluturimet me Rinasin. Por kush e solli atë në Shqipëri?

Në gusht të vitit të kaluar, presidenti i Kastrati Group, Shefqet Kastrati, tha se kishte arritur një marrëveshje me presidentin e Wizz Air Group Robert Carey dhe e prezantoi kompaninë si partner strategjik.

“Vendosja e avionit të 6 të Wizz air është një partner strategjik i joni mandje gjej rastin ta falenderoj për besimin angazhimin në Shqipëri duke u afruar qytetarve çmime më të lira në 29 destinacione, deri në fund të vitit do të shkojë 34” – deklaronte ai.

Shefqet Kastrati, president i Kastrati Group, duke folur per marreveshjen me Wizz Air

Por tani shqiptarët po shohin përditë që çmimet e lira po u dalin disa herë më shtrenjtë: nëse nisesh për një destinacion, s’dihet se ku përfundon; mund të presësh deri në 10 orë në radhët e aerporteve për të bërë një fluturim që zgjat vetëm 2 orë; mund të udhëtosh pa kondicioner; mund të arrestohesh se kompania të çon në një vend ku s’ke të drejtë të hysh; mund të braktisesh në mes të rrugës, sepse Wizz Air nuk të dërgon avionin e linjës në aerportin për të cilin ke prerë biletën më parë.

Pavarësisht këtyre problemeve, duket se askush nuk e ka në mendje ta prishë marrëveshjen me Wizz Air, e cila, si kontratë mes dy palëve private, nuk është bërë publike.

Megjithatë, në një situatë të tillë autoritetet duhet të ndërhyjnë, pasi po dëmtohen qytetarët shqiptarë. Heshtja e autoriteteve ngre re të tjera dyshimesh mbi Rinas, si ato të hedhura më parë në internet për korrupsion në lidhje me zgjatjen kontratën koncesionare për 13 vjet për kompaninë Kastrati.

Në pritje të autoriteteve shqiptarët janë përballë dy zgjedhjesh, të gjejnë alternativa të tjera ose të protestojnë për çdo problem që u ka shkaktuar kompania në fluturimet e tyre dhe për indiferencën që tregon shteti, teksa me paratë e tyre këto kompani po mbushin xhepat pa pyetur për pasojat që u shkaktojnë. /Zoom.al

Postime të lidhura