zoom

Politikë

Vuçiç: Ura në lumin Ibër do të hapet me 14 ose 15 Gusht! KFOR të mos e lejojë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë të dielën se pret hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Kosovë, më 14 ose 15 gusht, si dhe instalimin e liderëve të rinj serbë në këtë vend nga agjencitë e huaja, pa ofruar ndonjë dëshmi.

Ai i ka bërë këto deklarata në kohën kur autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar se ura kryesore mbi Ibër – që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare, me Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe – duhet të hapet plotësisht për qarkullim.

Aktualisht ajo është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për makina, dhe në të patrullojnë karabinierët italianë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Vuçiq i ka bërë thirrje KFOR-it që të mos lejojë hapjen e urës.

Presidenti serb ka pretenduar që figurat e reja serbe, që sipas tij, do të instalohen në Kosovë, “do t’i portretizojnë si trima edhe pse nuk janë, dhe do të përpiqen t’i ndajnë nga Beogradi” dhe që ata t’i përgjigjen kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Më lejoni t’ju them menjëherë se nuk do të funksionojë”, ka thënë Vuçiç në një konferencë për media, pa përmendur në mënyrë specifike ndonjë agjenci.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë është Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Kosovë, kanë thënë publikisht se nuk mbështesin hapjen e urës në këtë kohë.

Vendet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuara, Italia, Gjermania dhe Franca.

Bashkimi Evropian ka thënë, po ashtu, se Prishtina zyrtare nuk duhet të marrë “vendime të njëanshme”.

KFOR-i ka thënë disa herë në ditët e fundit se nuk do të hezitojë të veprojë nëse vëren veprime afër urës që mund të cenojnë sigurinë e qytetarëve.