zoom

Bota

Vuçiç: Nuk e njohim Kosovën, nuk anëtarësohemi në NATO

Për Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nëse shteti i tij nuk e ka njohur subjektivitetin e Kosovës nën presionin e “tmerrshëm” ndërkombëtar të vitit 2013, nuk do ta bëjë këtë as tani.

“Unë mendoj se nuk duhet ta pranojmë në asnjë mënyrë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Vuçiç në një intervistë për televizionin serb Prva.

Megjithatë ai mendon se duhet të punohet në aspektin e krijimit të raporteve më të mira dhe besimit më të madh me shqiptarët por, se një gjë e tillë sipas tij është shumë e vështirë.

Vuçiç, gjatë intervistës ka bërë të qartë se Serbi nuk do të anëtarësohet në NATO, pasi sipas tij ai konsideron se ushtria serbe me refuzimin e anëtarësimit në aleancën veri-atlantike do të bëhet më i fortë.

“Jemi të lirë të vendosim për këtë gjë, kjo është rruga drejtë pavarësisë dhe bashkëpunimit me të gjithë”.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Vuçiç ka thënë se shqiptarët e Kosovës po sillen si ekstremistë dhe se nuk po i përmbushin obligimet ndërkombëtare.

Ai ka theksuar se iniciativa e “Ballkanit të hapur” është shumë e rëndësishme për paqe dhe stabilitet në rajon.

Sipas tij, Nisma është një ide unike që mundëson të gjithëve lëvizjen e lirë në një treg të vetëm e të përbashkët.

“Ne do të kemi leje të plota pune në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri për të gjithë ata që dëshirojnë. Kjo është mënyra se si duhet të kapërcejmë dallimet tona dhe marrëdhëniet tona tmerrësisht të këqija”, ka shtuar ai.