zoom

Bota

Vuçiç në OKB/ Ngre tonet teksa flet për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha shteti i tij ka politikat dhe interesat e veta dhe nuk është shërbëtor as i Rusisë, e as i Shteteve të Bashkuara.

Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuçiç tha se shteti i tij respekton Kartën e OKB-së dhe integritetin territorial të Ukrainës, teksa tha se shtetet nuk respektojnë rezolutën 1244 dhe integritetin territorial të Serbisë.

Ai përsëriti akuzat ndaj Perëndimit se ka shpërfillur Kartën e OKB-së, kur ish-Jugosllavia e atëhershme u bombardua nga NATO-ja, bombardime që çuan në çlirimin e Kosovës.

“Të gjithë në botë flasin për Ukrainën, askush nuk guxon të flasë për Serbinë, por edhe kur flasin, ata thonë se si ne do ta nisim luftën në Ballkan nën urdhrat e Rusisë. Ata kanë gënjyer gjatë gjithë kohës për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ne nuk jemi as shërbëtorë të Rusisë, e as të SHBA-së. Ne kemi politikat tona dhe interesat tona”, tha Vuçiç.

Në fjalimin e tij, ai foli për Kosovën, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh. Ai akuzoi shtetet perëndimore për armatosjen e Kosovës, teksa tha se sipas rezolutës 1244 të OKB-së, të vetmet forca të armatosura në Kosovë janë ato të KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s.

“Ata që kanë kryer agresion kundër Serbisë, që tentuan të ndajnë një pjesë të territorit të saj, ende tentojnë të na bindin se është zgjidhja e vetme demokratike dhe e arsyeshme, që ‘Kosova dhe Metohia’ të shkëputet nga Serbia. Ata i kanë ofruar armë në baza ditore të ashtuquajturave Forca të Sigurisë së Kosovës, që nesër do të bëhen Forcat e Armatosura shqiptare në territorin e Serbisë”, tha Vuçiç.

Më 2018, Kosova ka miratuar ndryshimet ligjore për shndërrimin e FSK-së në Ushtri. Ky proces pritet të përfundojë më 2028. FSK-ja mbështetet nga shtete të ndryshme me armatime, sikurse nga Shtetet e Bashkuara dhe Turqia.
Vuçiç tha se kur i pyesin se në bazë të çfarë dokumentesh ndërkombëtare e ofrojnë një ndihmë të tillë për FSK-së, ai tha se marrin përgjigjen më idiote se nuk e pranojmë Kartën e OKB-së sepse situata ka ndryshuar sepse e kemi pranuar pavarësinë e Kosovës.

“Mesazhi i tyre për ne është: Ne kemi fuqinë, ne jemi Zoti, nuk na intereson për OKB-në, ligjet dhe rezolutat e OKB-së. Mund të bëjmë çfarë të duam”, tha Vuçiç, duke pyetur liderët e pranishëm në OKB se si duhet të veprojë Serbia.REL/