zoom

Aktualitet

Vrau me thikë 15-vjeçarin, kapet pas disa orësh arrati autori

Ka rënë në pranga autori i vrasjes së 15-vjeçari në Shkodër. Mësohet se ai është po 15 vjeç, teksa ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se dhe 15 vjeçari i dyshuar si autor i ngjarjes është dëmtuar lehtë me mjet prerës (thikë) në sup pa probleme për jetën.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë, ku në zonën e Fermentimit, në lagjen “Skenderbeg”, në rrethana ende të paqarta u plagos me armë të ftohtë (thikë) një 15 vjeçar dhe si pasojë e plagëve të marra humb jetën në spital, menjëherë u krijua grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë u shpërndanë në zonë për të grumbulluar informacion me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.

Falë veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë Shkodër, identifikuan dhe shoqëruan në Komisariat për veprime të mëtejshme, një 15 vjeçar që dyshohet si autor i kësaj ngjarjeje.

Shërbimet e Policisë gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë) që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit, ku mbeti i plagosur 15 vjeçari, i cili humbi jetën në Spital.

Grupi hetimor nën drejtimin Prokurorisë po vijon veprimit intensive, në prani të psikologut dhe familjarëve, për të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj”, njofton policia.