zoom

Aktualitet

Vrau gruan në Athinë, Danaj pranon krimin dhe i kërkon falje Gjykatës. Jepet arrest me burg

Gjykata e Athinës dha masën e arrestit me burg për shqiptarin që masakroi me thikë për vdekje javën e kaluar dhe për motive xhelozie, ish-gruan e tij.

Eduard Danaj doli sot në gjykatën greke, në masa të larta sigurie, teksa sipas raportimeve të mediave të vendit fqinj, ka kërkuar falje para togave të zeza.

Vlonjati 50-vjeçar që u kap pas arratisë nga vendngjarja, akuzohet se masakroi me thikë ish-bashkëshorten e tij, Enkelejda Danaj, nënën e dy fëmijëve. Ngjarja e rëndë ndodhi në Menidi dhe prej më shumë se një viti çifti kishte probleme, ishte ndarë dhe madje viktima e kishte denoncuar disa herë autorin.

Ky i fundit pas arrestimit tha se “nuk e shikonte dot të dashurin e saj që t’i hante paratë”, ndaj edhe e vrau. Danaj i ka kërkuar falje hetuesit për krimin që thuhet se e kreu në gjendje të qetë shpirtërore, armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armëve. Pas krimit, sipas pamjeve të kamerave, ai u pa teksa hyri në dyqan për të blerë birra.

Informacionet thonë se në kërkim të faljes ai ka pranuar krimin dhe ka deklaruar se i vjen keq për veprimin e tij. Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e arrestit me burg.

Enkelejda u gjet në rrugën poshtë shtëpisë të enjten e kaluar nga kalimtarët dhe me thikën në trup, e goditur dhjetë herë. Trupi i saj u përcoll de varros në vendlindje në Vlorë të shtunën dhe familja kërkoi drejtësi. /ZOOM.AL/