zoom

Aktualitet

Vrau Arian Gosën/ Habib Rexha: Kishte hapur fjalë se do na vriste, isha i frikësuar

Zbardhet dëshmia e plotë e Habib Rexhës, i arrestuar për vrasjen e Arian Gosës disa ditë më parë në Kavajë për gjakmarrje.

Ai ka rrëfyer para grupit hetimor se planin për ekzekutimin e ka bërë pasi, sipas tij, ndihej i frikësuar nga kërcënimet me jetë prej Gosës.

Rexha ka treguar me detaje ku e gjeti armën e krimit dhe si rastisi më pas në lokal me Arian Gosën.

“Shtetasi i ndjerë Arian Gosa ka hapur fjalë në Kavajë dhe në lagjen ku banojmë ne se “do t’i vras malokët, nuk ju lë vend këtu”. Jam ndjerë i frikësuar dhe në ankth që ndonjë nga familjarët e mi mund të pësonte fatin e Altin Rexhës. Kam shkuar në Kukës dhe në kufi kam marrë kontakt me një shtetas kosovar dhe i kam kërkuar që të më gjeje një armë zjarri. Ai më ka siguruar një pistoletë te llojit “TT” të cilën ia bleva 200 euro. Në datë 21.05.2023 pasi kam ndenjur deri në ora 16.00-17.00 tek puna e vëllait Artur Rexha kam marrë makinën time të markës “Volksëagen” lloji “Tuareg”, me ngjyrë gri, me targa “AA488MC” dhe kam shkuar tek lokali ku ndodhi ngjarja. Ndërkohë pistoletën e kisha me vete në xhaketë të maskuar dhe e kisha të mbushur. Kam dalë nga makina dhe kam shkuar tek shkallët e lokalit të shtetasit S. O ku kam vënë re që ndodhej shtetasi Arian Gosa i shoqëruar me një person tjetër të cilin nuk e njihja. Menjëherë më lindi ideja për ta vrarë, kam nxjerrë pistoletën dhe e kam qëlluar me një plumb në kokë dhe jam larguar me vrap në drejtim të makinës e cila ishte rreth 200-300 m larg vendit të pas me makinën time kam ikur në drejtim të qytetit të Durrësit, kam lënë makinën në zonën e Plazhit, mbaj mend që afër ishte një karburant “Gega Oil” në krahun e djathtë, dhe pasi lashë makinën, kam ikur në këmbë deri tek “Pista Liria” ku janë ca gurë dhe aty kam hedhur pistoletën në det”, ka dëshmuar Habib Rexha.

Më tej, ai ka shpjeguar edhe si u arratis nga vendi i krimit.

“Më pas kam ikur për në Kukës me autobusë të linjave, kam qëndruar deri ditën e sotme dhe vendosa që të vija të dorëzohem. Kam ardhur te shtëpia e vëllait Artur Rexha, kam ndërruar rrobat, kemi njoftuar shefin e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe jam dorëzuar te ai dhe punonjësit e policisë. Dua të ju them se  kurrë nuk kam pasur ndër mend të vras shtetasin Arian Gosa, kemi pritur për tu pajtuar por meqënëse ai kishte përhapur fjalët që ju thash më sipër dhe në dy rastet që u përballëm rastësisht, më kërcënoi, mendova se ai do me vrasë ose mua ose vëllezërit e mi siç bëri vëllai i tij ndaj Altinit, kështu që për këtë arsye e vrava unë. Tashmë jam shumë i penduar por e bëra nga frika se mos humbja familjarët e tjerë”, ka dëshmuar ai.

Habib Rexha u vetëdorëzua në polici pas 48 orësh arrati, pas ndërmjetësimit të familjarëve të tij.