zoom

Aktualitet

“Vrasje e mbetur në tentativë”/ Shpallet në kërkim efektivi i “Shqiponjave”, fundosen dy kolegët

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal për tre punonjësit e policisë, efektivë të Seksionit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Gjykata ka vendosur arrest me burg për efektivin Rezart Berberin, i dyshuar për veprën penale vrasje me dashje e mbetur në tentativë, falsifikim dokumentash dhe kallëzim i rremë. Berberi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Po ashtu gjykata ka vendosur detyrim paraqitje për efektivët Elton Dokollari dhe Florian Zeneli të cilët dyshohen për moskallzim krimi, shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash, dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.

Caktimi i masave të sigurimit personal ndaj punonjësve të policisë u bë i mundur nga hetimet e kryera pas kallëzimit penal të depozituar nga një shtetas, nga ku rezultoi se në datë 8 mars 2024, gjatë kryerjes së shërbimit në segmentin rrugor Tiranë–Fushë Krujë, këta punonjës policie kanë ndaluar një automjet dhe gjatë veprimeve policore, në tejkalim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme, kanë qëlluar me armën e shërbimit në drejtim të tij, duke vënë në rrezik jetën e dy personave që ndodheshin në mjet. Në vijim, krahas mos-raportimit të ngjarjes tek strukturat eprore, ata kanë tentuar të fshehin provat dhe faktet.