zoom

Aktualitet

Vrasja e punonjësit të Ujësjellësit në Shkodër, arrest me burg për autorin e dyshuar

Arrest me burg me afat 35 ditë ka dhënë sot Gjykata e shkallës së parë Shkodër ndaj Eduart Kësollës i akuzuar për vrasjen e Prek Tonaj. Në seancën gjyqësore, i pandehuri Kësolla nuk ka folur, ndërsa avokati i tij ka kërkuar që të sillen prova që implikojnë 30 vjeçarin. Ai ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie, duke pretenduar se nuk ka asnjë provë që e implikojnë atë në vrasje.

Kësolla u arrestua 24 orë pas vrasjes së Tonajt, i cili u ekzekutua më 13 shkurt me breshëri kallashnikovi në fshatin Grudë e Re. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për gjakmarrje, ndërsa Eduart Kësolla është i biri i Pal Kësollës, i cili është vrarë në vitin 1996 nga një nga anëtarët e familjes Tonaj. Pas arrestimit, Kësolla mohoi të ishte ai autori i ngjarjes, duke deklaruar se nuk kishte qenë në vendngjarje në momentin kur ndodhi ngjarja, por nga ana tjetër hetuesit gjetën shenja baruti në duart e tij.