zoom

Aktualitet

Vrasja e policit Afrim Bunjaku në Kosovë, si është situata në Veri një ditë pas trazirave?!

Situata në Veri të Kosovës paraqitet e qetë, një ditë pas trazirave ku një grup prej 30 terroristësh serbë vranë efektivin Afrim Bunjaku.

Policia e Kosovës njoftoi se situata ka qenë e qetë përgjatë gjithë natës, pasi arrestimit të 6 prej agresorëve dhe vrasjes së 3 të tjerëve gjatë operacionit për kapen e tyre në Banjskë.

Është bërë e ditur se në udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në bashkëkoordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in kanë hyrë në objektet përcjellëse të manastirit të Banjskës për realizim të detyrave.

Orët e para të së dielës (24 shtator) nisën me sulme të armatosura nga grupe terroriste serbe në fshatin Banjskë të Zveçanit ku humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku, si edhe u plagos një tjetër efektiv. Në kundërofensivë, policia e Kosovës vrau tre prej anëtarëve të grupit terrorist serb.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të dielën se gjashtë persona janë ndaluar pë 48 orë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe dyshohen për disa vepra penale. Një nga to është për vepra terroriste.

“Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, janë veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit.

Në njoftimin e saj të fundit, Prokuroria ka njoftuar se në aksionin e së dielës janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.