zoom

Aktualitet

Vrasja e Pëllumb Metës/ Ish-drejtori i burgut zbulon gabimin e policisë

Për ish-drejtorin e burgut në Peqin, Faik Basha, policia ka bërë një gabim para arrestimit të tre fëmijëve në Shënavlash të Durrësit, që tronditën vendin duke vrarë dhe groposur babanë e tyre, Pëllumb Metën.

Gjatë një interviste në “Top Story”, Faik Basha deklaroi se grupi hetimor duhet të ishte thelluar në hetime para se të kryente arrestimin. Sipas tij, nëse fëmijët do të ishin lënë të lirë nën mbikëqyrje për pak ditë, do të ishte zbuluar motivi i vrasjes duke monitoruar lëvizjet e tyre.

“Duke i mbajtur nën hetim, mund të kishin patur mundësinë për të zbuluar kush është autori. A do të diskutonin mbi faktet mbi mbrojtjen, mbi autorin që do i linin fajin dhe do përsërisnin rolin që do mbanin para gjykatës. Ata e dinin që do zbuloheshin, thjesht fituan kohë”, tha ai.

Ish-drejtori i burgut shtoi se në gjithë këtë histori, ajo që të bën më shumë habi është ftohtësia e autorëve dhe fakti që ata nuk kanë shfaqur shenja pendese, edhe pse kanë kryer një krim makabër.

“Nuk kam parë një familje të tërë që ka kryer një ekzekutim makabër, të një njeriu që supozohet të ishte më i dashuri për ta, babai. Çfarëdo të kishte bërë, çfarëdo situate, mendoj që kishte plot rrugë për t’i dhënë zgjidhje. Kjo familje nuk është në gjendje të rënduar ekonomike, kishin një vilë. Babi bënte dy punë, edhe fëmijët punonin. Një familje në pamje të parë normale.

Është mister i madh dhe do jetë objekt studimi arsyeja pse e çoi këtë familje të kryejnë këtë akt kaq të rëndë. Për 10 ditë të jetonin në këtë lloj gjendje, pa dhënë asnjë lloj arsye. Të gjithë ishin të shpërndarë në punë e shkollë, njerëzit që kanë qenë në kontakt kanë treguar një sjellje shumë normale, edhe pse kishte ndodhur ngjarja. Kjo është ajo që të bën të habitesh. Ftohtësia.

Kam parë njerëz që kanë vrarë dhe në 99% të rasteve kam parë pendesa, në këtë familje nuk shoh asnjë lloj pendese”, u shpreh Faik Basha.