zoom

Aktualitet

Vrasja e Egli Progës/ Rama mbron sërish policinë dhe urgjencën: Një maskaradë

Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të dytë brenda ditës, pas pikëpyetjeve të ngritura për hetimet e kryera nga autoritetet për vrasjen e Egli Progës në Pogradec.

Në postimin e tij të dytë për të njëjtën çështje, Rama mbron sërish policinë dhe urgjencën, duke sulmuar ata që dyshojnë për punën e bërë prej tyre për ngjarjen.

Reagimi i plotë i Ramës:

Ata që kanë krijuar çorbën e pistë kundër policisë dhe urgjencës tani flasin për deklarata kontradiktore të shtetit apo për vetëdorëzim të autorit, ndërkohë që s’ka pasur asnjë deklaratë kontradiktore apo a thua se vetëdorëzimi brenda pak orësh i autorit dhe arrestimi i tij, janë gjëra kontradiktore, kur në fakt vetëdorëzimi sikundër e tregon qartë e gjithë dinamika e reagimit përkatës është rezultat i punës së policisë e jo një akt vullnetar nga hiçi i vrasësit!

Ky është rasti tipik i një maskarade të krijuar qëllimisht dhe si provë e maskaradës mjafton vetëm fakti se askush nga nxitësit dhe komentatorët e maskaradës nuk iu referua asnjë çast komunikatës së Policisë Vendore të Korçës, po së bashku iu referuan dizinformimeve e keqinformimeve të njëri-tjetrit për të helmuar sa më shumë opinionin publik.

Prandaj nuk do as mend e as kalem për të kuptuar se dalja publike e niveleve më të larta të Policisë së Shtetit dhe të Urgjencës Kombëtare, as nuk do të kishte pse të ndoshte nëse burimet e dizinformimit e të keqinformimit do t’i ishin referuar fakteve dhe jo sajesave të njëri-tjetrit.

Dhe faktet janë në dosjet e të dyja institucioneve, madje Urgjenca Kombëtare i ka në një regjistër digjital minutat e sekondat e thirrjeve përkatëse, mu si një pasqyrë kokëfortë për të parë realitetin e të gjithë reagimit shtetëror dhe dallimin e tij me filmin e neveritshëm të të njëjtëve sharlatanë të paudhë që maskaradat i kanë profesion në politikë e në media.

Reagimi i parë i Edi Ramës:

Në reagimin e parë të tij, Edi Rama theksoi se asnjë moment policia e shtetit nuk ka tentuar të fshehë krimin, duke vënë në dukje se forcat e policisë kanë kryer të gjitha veprimet duke e referuar ngjarjen e rëndë në prokurori, si “vrasje me dashje”.
Kryeministri është kujdesur të vërë në dukje se akuza “vrasje nga pakujdesia” i përket prokurorisë.

“Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët e kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral”, u shpreh ai.