zoom

Sport

Volley, Teuta fiton serinë e parë të finaleve me Flamurtarin për qëndrimin në Superligë

Teuta në volejboll për femra ka hedhur një hap drejt qëndrimit në elitë për sezonin e ardhshëm pas suksesit 3-1 kundër Flamurtarit në ndeshjen e parë “play out”.

Vajzat e drejtuara nga trajneri Edmond Jazexhi triumfuan me rezultatin 3-1 në takimin e zhvilluar në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”.

Teuta e filloi mirë, duke fituar bindshëm 25-16 në setin e parë, ndërsa e dyfishoi epërsinë e seteve pas triumfit 25-21 në të dytin.

Flamurtari reagoi në setin e tretë, duke fituar 23-25 dhe ngushtoi rezultatin në 2-1 me sete.

Durrsaket u kundërpërgjigjën shpejt duke dominuar në setin e katërt, për të fituar 25-16, duke bërë të tyrin raundin e parë “play out”.

Më 5 prill do të luhet ndeshja e kthimit, takim që do të zhvillohet në Vlorë.

Skuadra që arrin numrin e dy fitoreve, siguron qëndrimin në Superligë për edicionin e ardhshëm. /zoom.al/