zoom

Lajme

Vokshi: Ministria dhe Fondi po pengojnë hetimin për koncesionet në Shëndetësi, kallëzime penale…

Duket se hetimi i koncesioneve në Shëndetësi, kryesisht Sterilizimi dhe Check-Up, nuk do jetë i lehtë për opozitën.

Kryetarja e Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, Albana Vokshi, ka “kërcënuar” sot me kallëzime penale ndaj kujtdo që pengon punën e komisionit, pasi po hasen problematika nga institucionet. Më herët pengesa denoncoi edhe PS, madje duke kallëzuar audituesin e KLSH-së.

Në një deklaratë për mediat, Vokshi ka zbuluar se dhjetëra kërkesa për informacion të dërguara te institucionet nga komisioni, kanë mbetur pa përgjigje. Ajo shtoi se një “ping-pong” në shmangien e përgjegjësisë për të dhënë informacion, po bëhet mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimit.

“Nuk kanë dhënë përgjigje për provat që i kemi kërkuar, Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi bëjnë ping pong me njëri tjetrin. Fondi edhe pse është paguesi ka kontratën e paguesit, thonë nuk kam dokumentacion dhe kontratë, si bëhen pagesat? Na thotë adresohuni tek Ministria e Shëndetësisë, e cila konsideron përgjigjen e Fondit si përgjigje.

Janë dhjetëra shkresa për të cilat nuk është dhënë asnjë informacion. Nëse do të refuzojnë të kthejnë përgjigje, kjo do të përbëjë një shpërdorim detyre dhe nga ana e Komisionit dhe deputetëve do të ndërmerren masa për këdo që pengon punën, përfshirë kallëzime penale”, tha ajo ndër të tjera. /ZOOM.AL/