zoom

Aktualitet

Vodhën “BMW” në Angli dhe e shitën për 9 mijë euro në Shqipëri, 1 në pranga, 2 në kërkim

Një 36-vjeçar është arrestuar në Policia pasi dyshohet se kishte blerë një automjet të vjedhur në Angli, tip “BMW” kundrejt shumës 9 mijë euro, me qëllim për ta shitur për pjesë këmbimi.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia përmes një njoftimi, ku thuhet se gjithashtu u shpallën në kërkim dy shtetas të tjerë, të cilët dyshohet t’ia kenë shitur automjetin 36-vjeçarit.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për disa shtetas që trafikonin në vendin tonë, automjete të vjedhura, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Servisi”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi F. M., 36 vjeç, banues në Tiranë, dhe u shpallën në kërkim shtetasit T. L., 39 vjeç, banues në Kuçovë, dhe C. F., 41 vjeç, banues në Rumani.

Nga veprimet hetimore dyshohet se dy shtetasit e shpallur në kërkim kanë trafikuar në Shqipëri një automjet tip “BMW”, të dyshuar të vjedhur në Britaninë e Madhe. Automjetin e ka blerë 9000 euro, shtetasi F. M., me qëllim për ta shitur për pjesë këmbimi.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti tip “BMW”.

Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të jetë kryer nga këta shtetas, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.”– njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.