zoom

Aktualitet

Vjedhja në banesën e ish-zyrtares Klosi, kërkohen 10 vite burg për pastruesen dhe të birin

Teksa pritet të jepet sot vendimi për Rozeta dhe Havier Dobi, kanë dalë para togave të zeza. Gjykata Penale e Tiranës do të japë vendimin, pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë dhe më tej konkluzionet e palës mbrojtëse.

Prokuroria ka dhënë pretencën për Dobin dhe të birin. Prokurorja Mirela Zavalani, teksa prezantoi konkluzionet me 29 faqe, kërkoi që Rozeta Dobi të shpallet fajtore dhe të dënohet me 6 vite burg dhe se të aplikohej gjykimi shkurtuar.

Ndërkohë për djalin e saj, Prokuroria kërkoi 4 vite burg dhe aplikim të uljes së dënimit me 1/3 dhe në bazë të nenit 59 të dënohet me 3 vite shërbim prove. Mëvetësisht pritet edhe pretenca e ish-zyrtares.

Në datën 15 tetor 2022, nga banesa e Alda Klosit janë vjedhur 462 mijë euro. Rozeta Dobi dyshohet për vjedhje me pasoja të rënda dhe vjedhje më shumë se një herë, ndërsa djali i saj, e njëjta akuzë dhe për të birin, Havier Dobi.

Përsa i përket akuzës për pastrim të parave, Gjykata e ka kthyer dosjen duke i lënë prokurorisë se Tiranës 3 muaj afat që të provojë akuzën. Po ashtu, prokurorja theksoi se dy makinat që përdorte i riu, janë blerë me paratë e vjedhura, me vlerën rreth 300 mijë lekë të reja dhe 15 mijë dollarë.

Prokuroria kërkoi që dy automjetet që janë blerë nga Havier Dobi me paratë e vjedhura, të kalojnë në favor të shtetit dhe të hiqej sekuestro për llogaritë bankare të pastrueses Dobi. Po ashtu u kërkuar që bizhuteritë e vjedhura t’u kthehen personave që iu janë vjedhur.

Pastruesja Rozeta Dobi akuzohet se vodhi një shumë të madhe eurosh në banesën e Alda Klosit, ish-zyrtares së lartë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, bashkëpunëtore dikur e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Mësohet se Alda Klosi nuk është paraqitur sot në seancë, ndërkohë që sot do të jepet pretenca nga Prokuroria.

Vjedhja dyshohet se ishte e inskenuar, teksa pastruesja dëshmoi se Klosi i dha paratë për t’i fshehur te banesa e saj. Prokuroria po heton se nga i gjeti këto para ish-zyrtarja, të cilës iu bë edhe sekuestrim pasurie. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura