zoom

Bota

Viti 2023 shënoi temperaturën më të lartë të regjistruar në planet

Vitin e kaluar Toka theu rekordet vjetore të nxehtësisë sipas Agjenciës Evropiane të Klimës, ‘Copernicus’.

Agjencia tha se viti 2023 ishte 1.48 gradë Celsius më i ngrohtë se temperaturat para zhvillimit të botës industriale.

Kjo rritje ishte shumë afër kufirit prej 1.5 gradë Celsius, brenda së cilës bota shpresonte të qëndronte sipas marrëveshjes së Parisit për klimën të mbajtur në vitin 2015 me qëllim për të shmangur efektet më të rënda të ngrohjes globale.

‘Copernicus’ paralajmëron se muaji janar i këtij viti është aq i ngrohtë sa për herë të parë mund edhe të tejkalohet pragu prej 1.5 gradë, tha zëvendësdrejtoresha e Agjencisë, Samantha Burgess.

Ky objektiv “duhet të (mbahet) gjallë sepse jetët janë në rrezik dhe duhet të merren vendime të vështira për këtë” tha zonja Burgess. “Këto vendime nuk ndikojnë tek ju dhe unë, por ato ndikojnë tek fëmijët dhe nipërit tanë.”
Nxehtësia rekord e vitit të kaluar e bëri jetën të rëndë dhe ndonjëherë me pasoja fatale në Evropë, Amerikën e Veriut, Kinë dhe shumë vende të tjera. Shkencëtarët thonë se ngrohja globale është gjithashtu përgjegjëse për motin ekstrem, si thatësira e gjatë që shkatërroi pjesë të zonës lindore të Afrikës, shirat e rrëmbyeshëm që shkatërruan digat dhe shkaktuan mijëra të vdekur në Libi dhe zjarret në Kanada që ndotën ajrin nga Amerika e Veriut drejt Evropës.

Ndërkohë të martën, drejtuesja e grupit të shkencëtarëve ndërkombëtarë që analizojnë rolin e ngrohjes globale tek moti ekstrem, shkencëtarja në Kolegjin Mbretëror, Friederike Otto tha “ne patjetër shohim në analizën tonë ndikimin që kishte 2023 si viti më i nxehtë”.

Ekipi i shkencëtarëve i njohur me emrin ‘World Weather Attribution’ analizon vetëm ngjarjet e motit që ndikojnë mbi jetën e të paktën 1 milion njerëzve ose shkaktojnë më shumë se 100 të vdekur. Zonja Otto tha se ekipi i saj ishte tepër i zënë pasi kishte mbi 160 ngjarje të tilla në vitin 2023 dhe mund të kryente vetëm 14 studime, shumë prej tyre mbi valët vrasëse të të nxehtit. “Çdo valë e të nxehtit që po ndodh sot është bërë më e mundshme dhe është më e nxehtë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu,” tha ajo.

Shtetet e Bashkuara përjetuan 28 fatkeqësi nga moti vitin e kaluar që shkaktuan dëme prej miliarda dollarësh. Kjo e theu rekordin e vjetër prej 22 fatkeqësive të motit në vitin 2020, njoftoi të martën agjencia amerikane për oqeanet dhe atmosferën (NOAA). Numri i këtyre fatkeqësive të kushtueshme është rritur ndërsa në vitet 1980 ka pasur mesatarisht tre fatkeqësi në vit dhe pak më pak se gjashtë në vit gjatë viteve 1990.

Fatkeqësitë në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar me kosto prej miliarda dollarësh përfshijnë një thatësirë, katër përmbytje, 19 stuhi të forta, 2 uragane, një zjarr i madh dhe një stuhi dimri. Ato së bashku morën jetën e 492 njerëzve dhe shkaktuan miliarda dollarë dëme, sipas agjencisë NOAA.

Masa e akullit në Antarktidë shënoi nivele të ulëta rekord gjatë vitit 2023, raportoi ‘Copernicus’.

“Temperaturat arritën nivele rekord për shtatë muaj. Ne kishim qershorin, korrikun, gushtin, shtatorin, tetorin, nëntorin, dhjetorin më të ngrohtë”, tha zonja Burgess. “Nuk ishte vetëm një sezon apo një muaj që ishte i jashtëzakonshëm. Ishte e jashtëzakonshme për më shumë se gjysmën e vitit.”

Ka disa faktorë që e bënë 2023 vitin më të ngrohtë në histori, por faktori më i madh ishte sasia gjithnjë në rritje e gazeve serrë në atmosferë që bllokojnë nxehtësinë brenda planetit, tha zonja Burgess. Këto gaze vijnë nga djegia e qymyrit, naftës dhe gazit natyror.

Zoti Malte Meinshausen, shkencëtar që merret me mjedisin në Universitetin e Melburnit, tha se rreth 1.3 gradë Celsius e ngrohjes vjen nga gazet që shkaktojnë efektin serrë.

Agjencia Evropiane për motin ‘Copernicus’ ka të dhëna nga viti 1940 dhe mbështetet në një kombinim të vëzhgimeve dhe modeleve të parashikimit të temperaturave. Grupe të tjera, përfshirë agjencitë amerikane NOAA, NASA si dhe Zyrën Meteorologjike të Mbretërisë së Bashkuar, të cilat bashkërendojnë të dhëna që nga mesi i viteve 1800, dhe do të publikojnë në fund të javës raportin e tyre për vitin 2023.

Megjithëse analizat aktuale bëhen mbi të dhëna që mblidhen në më pak se dy shekuj, disa shkencëtarë thonë se provat nga bërthamat e akullit sugjerojnë se kjo është periudha më e ngrohtë që Toka po përjeton në më shumë se 100,000 vjet.

“Kjo do të thotë që qytetet tona, rrugët tona, monumentet tona, fermat tona, të gjitha aktivitetet njerëzore nuk janë përballur kurrë me klimë kaq të ngrohtë”, tha drejtori i ‘Copernicus’ Carlo Buontempo në një konferencë për shtyp të martën.

Zoti Meinshausen, shkencëtar australian për klimën, tha se është e natyrshme që publiku të shtrojë pyetje nëse jemi larg objektivit që bota të mos ngrohet më shumë se 1.5 gradë. Ai tha se është e rëndësishme që njerëzit të vazhdojnë të përpiqen të frenojnë ngrohjen.

Por Drejtori i ‘Corpernicus’, Buontempo tha se bota do të bëhet më e nxehtë: “Nëse kemi parasysh trajektoren aktuale, pas disa vitesh, viti 2023 që ishte vit i rekordeve të thyera me siguri do të mbahet mend si një vit i ftohtë”./ Zëri i Amerikës