zoom

Bota

Shpërthen në një qytet të Indisë virusi Zika

Në qytetin Kanpur të shtetit Uttar Pradesh të Indisë, te 89 persona është zbuluar virusi Zika.

Sipas një lajmi të BBC-së, zyrtari shëndetësor në Kanpur, Dr. Nepal Singh, ka deklaruar se ka pasur një rritje të rasteve në rajon dhe se 17 prej 89 personave me virusin Zika janë fëmijë.

Singh deklaroi se kanë formuar ekipe për të kontrolluar përhapjen e epidemisë.

Kryeministri i shtetit Uttar Pradesh, Yogi Adityanath, tha se infeksioni po “përhapet me shpejtësi” në qytet dhe udhëzoi autoritetet që të shpejtojnë përpjekjet e pastrimit.

Zyrtarët shëndetësorë në rajon kanë deklaruar se rasti i parë në qytetin Kanpur u zbulua më 23 tetor dhe rastet janë rritur që atëherë.

Virusi Zika

Virusi Zika transmetohet te njerëzit nga pickimi i një mushkonje të infektuar “Aedes aegypti”.

Virusi Zika, i cili përveç pickimit të mushkonjave transmetohet edhe përmes gjakut dhe marrëdhënieve seksuale, për herë të parë u pa te majmunët në pyjet Zika të Ugandës në vitin 1947.

Virusi mendohet se shkakton mikrocefalinë, e cila i referohet një çrregullimi neurozhvillues tek foshnjat, nëse transmetohet te gratë shtatzëna.

Nuk ka asnjë trajtim specifik apo vaksinë parandaluese për sëmundjen, e cila shfaq simptoma të tilla si ethe, skuqje të syve, të vjella, skuqje, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe kyçesh.