zoom

Ekonomi

Vila qeveritare në Velipojë do rikonceptohet si strukturë elitare hoteliere, hapet konkursi

Vila qeveritare në Velipojë pritet të jetë pjesë e një marrëveshjeje partneriteti me sektorin privat për ta rikonceptuar atë në një strukturë elitare.

Korporata e Investimeve Shqiptare njoftoi se kjo pasuri, pjesë e projektit të përgjithshëm “Zhvillimi dhe menaxhimi i pronave shtetërore” përmes nënprojektit “Hospitality” është nxjerrë për interes dhe afati i fundit për aplikim është data 28 shkurt.

“Ky konkurs synon të gjenerojë ide dhe propozime inovative për transformimin e rezidencës qeveritare në Velipojë në struktura të akomodimit elitar, duke krijuar destinacione moderne dhe të qëndrueshme që përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare të luksit.

Projekti do të luajë një rol të rëndësishëm në rigjallërimin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave, duke i kthyer këto prona të nënshfrytëzuara në qendra tërheqëse që reflektojnë harmoninë mes inovacionit dhe peizazhit unik natyror. Përmes kësaj nisme, promovuesit synojnë të krijojnë një precedent për zhvillimin e qëndrueshëm dhe efikas të pronave shtetërore, duke kombinuar arkitekturën bashkëkohore dhe teknologjitë më të avancuara me një vizion të integruar për luksin, mikpritjen dhe qëndrueshmërinë” thuhet në dokumentet e Korporatës.

Konkursi në dy faza

Në fazën e parë ajo që do të vlerësohet është projekt-ideja paraprake. Në fund të saj Korporata do të përzgjedhë pesë (5) ekipet dhe konceptet më të mira sipas Metodologjisë së vlerësimit dhe seleksionimit të propozimeve paraprake teknike dhe kualifikimeve të Aplikantëve.

Në fazën e dytë do të bëhet dorëzimi i propozimeve për koncept-ide projektimi nga ku do të dalin tre më të vlerësuarat që më pas do të kalojnë në analizën e kritereve ekonomike dhe ofertës financiare për të zgjedhur fituesin. Referuar të dhënave që janë bërë publike kjo pasuri është në total 8100 metra2 ku përfshihet edhe ndërtesa.

Të dhënat e pasurisë janë: Rezidenca Qeveritare “Vila Velipojë”, Shkodër, Zona Kadastrale nr. 3072, lloji i pasurisë “Ndërtesë + Truall”, numër pasurie: 5, Sipërfaqja e gjurmës së ndërtesës 1200 m2+ Sipërfaqja e truallit 8100 m2.

Çfarë përfiton shteti dhe çfarë privati

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare që është institucioni që ka në pronësi rezidencat do të përfitojë sipas dokumenteve nga zhvillimi dhe përmirësimi i këtyre pronave.

“Institucioni përfiton hapësira të reja që janë më funksionale, në kushtet e në kushtet e një hoteli butik e një standarti me 5 yje, ku personalitetet e larta shtetërore do të vazhdojnë të përfitojnë nga shërbimet që këto godina qeveritare do të ofrojnë, kushteve të përcaktuara në marrëveshjen mes Korporatës dhe DSHQ” thuhet në dokument.

Nga ana tjetër sipas dokumentit partneri privat në këtë model të bashkëpunimit me Korporatën dhe institucionet publike luan një rol thelbësor në transformimin dhe zhvillimin e pronave dhe godinave shtetërore me qellim përshtatjen e tyre ne struktura akomoduese hotel ose butik hotel, të cilat mundet ti bashkohen strukturave që menaxhohen ose janë në proces ndërtimi/projektimi për tu operuar e menaxhuar si struktura akomoduese me 5 yje të certifikuara/kualifikuara si të tilla nga Ministria përgjegjëse për turizmin apo subjekti me “brand name” ndërkombëtar.

Ky partner zgjidhet për t’u përfshirë në këtë model për burimet financiare të tij apo partnerëve të tij dhe për kapacitetet e tij të provuara organizative dhe ekzekutive në realizimin e projekteve me natyrë ngritje dhe operim të strukturave akomoduese hoteleri, butik hotel të një niveli të tillë të cilat mund të përdoren nga personalitete apo figura të ftuara nga institucionet e përfshira në protokollin e shtetit. Vilat qeveritare ndodhen në zona mjaft të mira turistike dhe me potencial të lartë çka sipas dokumenteve e bën këtë model me fitim për të dyja palët.

Plani për rezidencën në Velipojë

Në tërësi argumentohet se rezidencat qeveritare kanë një përdorim të kufizuar aktualisht dhe se kostot e tyre të mirëmbajtjes janë të larta. Konkretisht edhe për rezidencën në Velipojë nënvizohet se ajo është përdorur nga përfaqësuesit e qeverisë shqiptare, udhëheqës politikë, diplomatë të huaj dhe, në raste të caktuara, nga personalitete ndërkombëtare.

“Gjendja ekzistuese e saj është funksionale, por strukturat janë të amortizuara, duke pasur nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme dhe ndërhyrje për t’u përshtatur me standardet moderne. Aktualisht, ajo përdoret shumë rrallë dhe mbetet aset i “fjetur”, duke u kthyer në një pasuri të amortizuar që kërkon një funksion të ri dhe më të vlefshëm ekonomikisht” thuhet në dokument.

Korporata nënvizon se nëpërmjet bashkëpunimit me zinxhirë hotelierë prestigjiozë dhe investitorë, këto prona do të pozicionohen si destinacione turizmi të klasit botëror. Në thelb të këtij vizioni qëndron krijimi i një ekosistemi turistik që promovon zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës për komunitetet lokale” nënvizohet në dokumentin e shpalljes së thirrjes. Subjekti që do të marrë rolin e investitorit pjesë e ekipit konkurrues, duhet të demonstrojë kapacitetin financiar dhe teknik për realizimin e projektit./Monitor

Postime të lidhura