zoom

Aktualitet

VIDEO-SKANDAL/ Policët në Serbi festojnë me këngë për genocidin e kërkojnë sërish luftë

Një video e disa policëve të Pribojit në Serbi, të cilët festojnë duke kënduar këngë çetnikësh që kryen krime në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, po bën xhiron në internet, duke shkaktuar reagime te forta.

Policët jo vetëm u thurin lavde autorëve që kryen genocidin në Srebrenicë, por bëjnë thirrje për krime të tjera ndaj minoriteteve në Serbi.

Sandzakpress.rs shkruan se video është bërë në një restorant gjatë festës së Vitit të Ri dhe është publikuar në Facebook nga njëri prej policëve. 

Priboj është një mjedis multietnik, ku gjatë luftës në Bosnje, edhe kundër qytetarëve boshnjakë të kësaj komune të Sanxhakut janë bërë krime të tmerrshme për të cilat askush nuk ka marrë përgjegjësi.

Gjatë viteve 90 të shekullit të kaluar, policët serbë frymëzoheshin me vargje të tilla për të kryer gjenocid edhe në Kosovë.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, reagoi ashpër. Ai tha se këngët e policëve për Srebrenicë të re në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Sërbisë së Vulinit dhe Vuçiçit.

“Këngët e policëve për Srebrenicë të re në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiqit.

“O Pazar – Vukovari i ri, oj Sjenicë – Srebrenicë e re”. Këto janë vargjet të cilët gjatë festimit të vitit të ri i kënduan disa pjesëtarë të policisë që veprojnë në zonën e Sanxhakut. Ato i publikuan me krenari edhe në rrjetet e tyre sociale. Sigurisht.

Çfarë të pritet nga polici kur Ministri i tij mohon çdo ditë gjenocidin e Srebrenicës, me heshtjen miratuese të Presidentit Vuçiq. Këngët e policëve në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiçit”, ka shkruar Kamberi.