Aplikacion
Nëse keni menduar që edhe këtë verë do të mund të pushoni në qytetin e Pogradecit, për të shijuar veçanërisht Parkun Kombëtar të Drilonit, dijeni se është e pamundur.
Voloreka, siç ndryshe njihet, një ekosistem fantastik i është nënshtruar prishjes dhe shpërfytyrimit. Zhavorri po përpin liqenin, teksa pemët po priten njëra pas tjetrës. (shini më poshtë fotot dhe videot e Zoom.al)
Vozitjet karakteristike me varkë janë përherë e më të rralla, teksa ekzistenca dhe siguria e mjelmave, peshqve dhe shpendëve të tjerë është në gjendje alarmi.
View this post on Instagram
Gjithë kjo masakër mjedisore po ndodh në emër të një projekti, që ka për qëllim shndërrimin e zonës në fjalë në park ujor.
Financuar nga një fondacion shqiptaro-amerikan, parku ujor Tushemisht-Drilon synon ndërtimin e kabinave të drurit dhe të tjerave godina, duke sakrifikuar kështu bukurinë origjinale të një prej pikave më të pëlqyera turistike të vendit tonë.
Pemët e vërrisë, rrapit, plepit, shelgjeve lotues, kallamishtet; po kështu diversiteti në faunë dhe harmonia natyrale ishin pikat e forta të Parkut të Drilonit, që tanimë po rrënohet, në kuadër të një projekti që po shkatërron dhe ndërhyn frikshëm.
“Thjesht po privatizohet ngadalë. Ja shiheni”, shprehet një banor për Zoom.al.
“Nuk e kuptoj pse duhet të priten kaq shumë pemë dhe të hidhet zhavorr. Nëse duan të ofrojnë shërbime fjetjeje e të tjera, le të mendojnë më zgjuar. S’mund të shkatërrojnë këtë pasuri për disa kabina”, flet i revoltuar një turist.
Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”,shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.