Aplikacion
Mediat italiane shkruajnë se ajo ishte radikalizuar në moshën 16-vjeçare dhe ishte një mbështetëse e përkushtuar e Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë.
VOA raporton se hetimi nisi pas një raporti të shërbimeve të zbulimit në lidhje me bashkëshortin e vajzës, një 21-vjeçar nga Kosova, që kishte lidhje me sulmuesin e Vjenës, Kujtim Fejzulai.
Sulmi në Vjenë ndodhi më 4 nëntor të vitit 2020. Kujtim Fejzulai vrau katër persona përpara se të vritej nga forcat e sigurisë.
Ajo është Bleona Tafallari, bashkëshortja e Kujtim Fejzullahut, autori i sulmit të përgjakshëm në Vjenë në nëntorin e vitit të kaluar.
19-vjeçarja kishte në celularin e saj video dhe imazhe, disa prej të cilave të krijuara nga agjencia e komunikimit të Shtetit Islamik, imazhe të flamurit të zi, e skena të sulmeve terroriste.
Ajo përhapte islamin radikal mes të miturve, ndërsa në një bisedë të zhvilluar më 24 shkurt me një vajzë 16-vjeçare, e quajtur Zanë, ajo i premtonte se do t’i gjente një burrë “luan”, njësoj si burri i saj “me të cilin do të vdesësh si martire, pas një martese të larë me gjakun e jobesimtarëve”.
Mes bisedave të saj dalin edhe mesazhe të shkëmbyera me vajzën e Bujar Hysës, imami i dënuar për terrorizëm, ku shprehin entuziazmin e tyre për pjesëtarët e ISIS-it.
Radikalizimi dhe martesa e aranzhuar
“Hap pas hapi”, shpjegoi Nobili në një konferencë për shtyp të mërkurën, Tafallari është bërë gjithnjë e më e radikalizuar, duke bërë propagandë dhe konvertime dhe duke ardhur për t’u dhënë këshilla miqve për martesat me muxhahedinët, me të cilët të vdesin dëshmorë të xhihadit.
“Do të martohem me një muxhahedin dhe mezi pres të vdes me të e përmbytur me gjakun e perëndimorëve”, i ka thënë asaj një 16-vjeçare në një telefonatë të përgjuar. “Në një moment vajza e bëri të qartë se ishte në dispozicion për martirizimin, ishte gati për hapin e fundit – tha Nobili – ishte gati për martirizim, gjë që për një grua nuk është aspak e zakonshme. Kur dikush deklarohet i disponueshëm për martirizimin, bëhet ‘pajisje njerëzore’”. Në atë moment ndërhyri policia. “Terrorizmi nuk ka vdekur, është i shtrirë nën prush”, tha Nobili. “Por ne jemi aty, ndjekim edhe gjurmët e vogla të një vajze 19-vjeçare”.
E mbërritur në Itali në vitin 2009, Tafallari ndoqi shkollën fillore dhe të mesme atje. Më pas erdhi martesa e aranzhuar me muxhahedinin 21-vjeçar, një militant gjerman me origjinë kosovare, me të cilin u martua pasi e takoi online. Radikalizimi ndodhi kur ajo ishte 16-vjeçe dhe ndodhej në Isernia. Në bisedat e saj online, ajo ra në kontakt edhe me një terrorist të gatshëm për të sulmuar në Kosovë.
Në telefon mbante video të njerëzve me koka të prera
E reja është përgjegjëse për “një veprimtari të vazhdueshme dhe të pandërprerë propagandistike të ideologjive të organizatave terroriste”, të cilën do ta kishte kryer, edhe falë aftësive të saj të forta bindëse, përmes rrjeteve të ndryshme sociale, para së gjithash “Telegram”-it, duke punuar si përçuese e mesazheve mes burrave (kryesisht të kontrolluar dhe për rrjedhojë nuk mund të komunikojnë lirshëm me njëri-tjetrin) dhe në ofrimin e ndihmës për gratë në vështirësi, por edhe për t’u dhënë këshilla se si të vishen, të sillen dhe me kë të martohen, me fjalë tjera, të martohen me “burra me mjekër dhe flokë të gjata”. Në celularin e saj, sipas “Milano Today”, ndjekësja e ISIS-it kishte disa imazhe të “luftës kundër të pafeve”, dokumente të shumta për lëvizjen terroriste, duke përfshirë një në italisht, me titullin elokuent “44 mënyra për të mbështetur xhihadin”, si dhe, siç thonë nga komisariati, “udhëzime për paketimin e mjeteve shtëpiake”.
Tafallari kishte “mbajtur dhe shpërndarë me telefonin e saj të konfiskuar imazhe dhe video, disa nga të cilat të krijuara nga agjencia për komunikim e Shtetit Islamik, ‘AI Hayat Media Center’, të cilat përmbanin objekte simbolike të së njëjtës organizatë terroriste si flamuj të zinj me mbishkrimin e dëshmisë së besimit, lartësohen skena të luftimeve në teatrot ushtarake të luftës, ekzekutimet e përmbledhura të të pafeve përmes prerjes së kokës dhe djegieve, skenat e sulmeve terroriste nga muxhahedinët që i përkasin Shtetit Islamik në qytetet evropiane”.
Sipas mediave italiane, që citojnë prokurorinë e shtetit, 19-vjeçarja, me vendbanim në via Padova në Milano, do të kishte luajtur gjithashtu “një funksion konvertimi për kauzën e islamit radikal ndaj vajzave kosovare, madje edhe të të miturave”, dhe në veçanti, “në një bisedë në ‘Telegram’ të 24 shkurtit 2021, ajo i premtoi një bashkëbisedueseje gjashtëmbëdhjetë vjeçare që e quante veten ‘Zanë’ dhe të cilën ajo e quante ‘luaneshë’ dhe i thoshte se do të gjente një ‘luan’ si burrin e saj, domethënë një pjesëtar të Luanëve të Ballkanit, me të cilin do të vdesësh si dëshmore pas martesës ‘të larë në gjakun e jobesimtarëve’”, shkruan në dokumentet e prokurorisë italiane.
Hetimi zbuloi se Tafallari kishte njohuri të thellë të dinamikës së brendshme të Shtetit Islamik dhe ishte pjesë e një rrjeti mbështetës për gratë myslimane – qëllimi i saj ishte t’i bindte ato të martoheshin me muxhahedinët; në një bisedë me një të vetmuar nga kampi i Raqqa, për shembull, ajo i ofroi asaj ndihmë konkrete. Ndër kontaktet e saj ishin edhe ato të personave të burgosur në Shqipëri dhe banorë në Gjermani, miq të bombarduesit të Vjenës. E reja, në disa imazhe dhe video, së bashku me një vajzë tjetër të radikalizuar, ishte e pranishme në “një video ku dy të rejat, në një kolazh fotografish, paraqiten duke veshur nikabin dhe në sfond një zë këndon një ‘anasheed’ (një këngë islame) në të cilën ‘gardianët e fesë ftohen të luftojnë forcat e rregullta siriane të Bashar Al Assadit’.
Në telefonin e 19-vjeçares, për më tepër, u gjet edhe imazhi shqetësues i një të porsalinduri dy muajsh me një armë të mbështetur në bark dhe një kapele me ‘shehadet’ (dëshmia e besimit me të cilën myslimanët pretendojnë se besojnë në një dhe vetëm një Zot dhe në profetin e tij Muhamed): fëmija, siç u shpjegua në konferencën për shtyp, tashmë konsiderohej i destinuar për martirizimin.
“Ajo kapelë ka më shumë vlerë se çdo gjë aty pranë”, dëgjohet të thotë ajo në një telefonatë të përgjuar mes të resë dhe nënës së fëmijës. Duke folur për prerjen e kokës – nga një terrorist islamik – të mësuesit Samuel Paty, për më tepër, e reja kishte komentuar: “Mësim për të gjithë mësuesit e tjerë .Ai e meritonte! Allahu na ruajt nga jobesimtarët”.