Aplikacion
Në video shihet se si dy të rinjtë kanë tentuar të largohen, por më pas u kapën nga policia.
Rreth orës 17:40 të ditës së djeshme, roja në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit.
Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë.
Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij. Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.
Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.
Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Ndaj personeli i Policisë Ushtarake ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, e cila ka bërë ndalimin edhe të dy personave të tjerë jo shumë larg nga uzina.