zoom

Aktualitet

VIDEO-FOTO/ Edhe sa herë do na shpëtojë rastësia? Pse zjarri i Lushnjës duhet të sjellë reagim

Më shumë se dhjetë orë iu deshën punonjësve zjarrfikës që të shuanin flakët e rëna në pallatin 12-katësh në Lushnjë, që dyshohet se nisën nga një qendër tregtare “Metropolitan”, si pasojë e një shkëndije në kondicioner dhe më tej në një restorant druri aty pranë.

Vatra u rindez orët e mbrëmjes së hënë, teksa skenat e aksionit treguan qartë se Zjarrfikësja shqiptare nuk e ka logjistikën e duhur për t’iu përgjigjur këtyre situatave, teksa vetëm fati i shpëton banorët nga fatalitetet, si rasti i Lushnjës.

Deri edhe shkallë druri u përdorën për të nxjerrë banorët nga katet e sipërme, që rrezikoheshin nga asfiksimi. Katër orët e para ishin luftë e vërtetë dhe panik, teksa shumë qytetarë tentuan të hidheshin edhe nga dritaret, pasi trauma ishte e madhe.

Zjarrfikëset u vu re nga pamjet filmike se nuk kishin as mjetet e duhura, si vinçat dhe shkallët elektrike me lartësinë e duhur, por edhe ujë dhe forcë për ta hedhur në vatrat e ndezura.

Defektet janë pranuar edhe nga vetë autoritetet, që shpesh gjenden pa përgatitur, teksa iu deshën përforcime nga Tirana dhe forcat RENEA për të ndërhyrë dhe normalizuar situatën.

Nëse i shton këtyre problematikave edhe atë të anës teknike, situata bëhet edhe më shqetësuese për mënyrën se si menaxhohen taksat për të shërbyer në këto lloj situatash. Pallate pa shkallë emergjence, pa sistem alarmi fikës, pa fikëse zjarri nëpër kate dhe kushte në nivelin më të ulët të sigurisë.

Pa dalje të dytë shkallësh dhe vetëm me shpresën te Zoti dhe fati që zjarri të shuhet vetë.

Pothuajse 42 banorë e persona nga stafi u asfiksuan nga skena e ngjarjes. Ata morën mjekimet në spital dhe mes tyre kishte fëmijë dhe të moshuar.

Banorët vetë rrëfyen tmerrin dhe vunë në dukje defektet e Emergjencave, duke mos pasur asnjë mjet shpëtimi në situuata zjarresh. Policisë në fund iu desh të shqyente dyert për të kontrolluar kat më kat dhe apartament më apartament.

Jo vetëm kaq, por teksa zjarri mendohej i shuar, është riaktivizuar pas orës 20:00 në disa vatra dhe madje më i fuqishëm. Hetimet për shkaqet nuk kanë përfunduar ende, por dyshimet për forcën e përhapjes bien tek lënda e djegshme me të cilën janë ndërtuar pallatat dhe subjektet, duke shtuar këtu mungesën e kushteve të sigurisë dhe fikëseve të zjarrit.

Ndërtime kuturru prej vitesh dhe që sot rrezikojnë mjaft qytetarët, me precedentë të shtuar dhe një zgjidhje që nuk vjen kurrë.

Dëmet materiale llogariten miliona lekë, teksa Bashkia e Lushnjës ka premtuar kompensim, që në shumë raste ose nuk është i duhuri, ose keqmenaxhohet, ose nuk jepet fare.

Kkryebashkiakja Eriselda Sefa u shpreh se do të bëhet vlerësimi i dëmit dhe kompensimi do të bëhet sipas ligjit.

“Në rast se do jetë e nevojshme do marrim shtëpi me qira që do të paguhet nga bashkia. Janë rreth 91 apartamente, por 20 janë banuese të tjerët janë emigrantë. Pasi të mbarojë ekspertiza, bashkia ka detyrimin ligjor që banesave t’i bëhet një vlerësim dhe më pas të bëhet kompensimi sipas ligjit”, tha kryebashkiakia.

Edhe shefi i zjarrfikëses në Lushnjë, Xhezmi Metushi, është shprehur se ishte e vështirë për të shuar flakët në qendrën tregtare që u përfshi nga zjarri mesditën e së hënës dhe për pasojë 42 persona përfunduan në spital me probleme me frymëmarrjen. Ai u shpreh se nuk kishin kapacitete për të ndërhyrë në kohë dhe se 10 persona rrezikuan jetën nga zjarri.

“Vatra e parë mendojnë se mund të jetë kati i 4-t në ambientet e një dyqani këpucësh. Është pallat shumë katesh, kishim shumë vështirësi. Rreth 10 banorë rrezikuan jetën, por i evokuam në kohë, 3 punonjës zjarrfikëse rrezikuan jetën. Akoma nuk ka dalë shkaku. Nuk bëjmë ne përllogaritje dëmesh. Objekti ishte në flakë. Nuk ka asnjë vatër zjarri, ua jap me garanci”, tha Metushi.

Flakët u përhapën rreth orës 15:00 dhe u shuan pas gati 10 orësh, rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm.

Një nga banorët e pallatit ku ndodhej qendra tregtare që u përfshi nga flakët, është shprehur se zjarrfikësit e Lushnjës nuk kishin ujë për të fikur zjarrin. Ajo u shpreh se mezi arritën të dilnin nga pallati duke shtuar se djali i saj mori gjyshërit e moshuar në kurriz për t’i nxjerrë jashtë.

“Mezi dolëm dje neve. Zjarrfikësja e Lushnjës nuk kishte ujë dhe priste ato të Fierit. Të kishim pasur ujë s’do kishte marrë kaq shumë flakë. Ishim në banesë. Kemi dalë nëpër shkallë.

Çuni ka nxjerrë pleqtë në kurriz. Nëpër shkallë morëm çupën, nusen. E kaluam natën te çuni i madh, as nuk e dimë se çfarë do të bëhet. Asnjë gjë nuk kishte aty, as sistem alarmi, asgjë. Shtëpia nuk jam kam idenë si është”, shtoi banorja.

Edhe një gjyqtar futbolli rrëfeu tmerrin e përjetuar pasi ndodhej në pallat në ato momente. Lefter Alla tregoi se situata ishte aq kaotike dhe e rrezikshme, sa ai nuk mbushej dot me frymë dhe mezi arriti të shpëtonte.

Kurse dy banorë të tjerë, të shtruar në spital, treguan se shtëpitë e tyre u pushtuan nga tymi dhe se sfidë ishte të shpëtoje jetën në ato momente.

“Isha në kat të gjashtë. Nga poshtë, lart erdhi zjarri. Pronari i pallatit erdhi dhe na ndihmoi. Tymi na e bëri të vështirë për të dalë. Isha unë nusja ime… 4 veta”, tha një banor i pallatit.

“Tymi nuk mbaronte nga jashtë mbyllëm dyer e dritare. Këto na merrnin në telefon dhe qanin kurse unë u thashë s’kam gjë, jam mirë. Pastaj erdhi një polic, një vullnetar dhe na shpëtuan jetën, rrofshin. Unë isha në banesë me një komshie sepse jetoj vetëm”, shtoi një e moshuar.

Edhe zemërata në rrjetet sociale e qytetarëve ishte e madhe, teksa në videot që u bënë shpejt virale, vihej re mungesa e logjistikës së repartit zjarrfikës për situata të ngjashme.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by zoom.al (@zoom.al)

Të indinjuar ata vunë në dukje se “Shqipëria duket si Afrikë dhe shteti s’ka dy mjete për të nxjerrë banorët nga rreziku i zjarrit”. Të tjerë vunë në dukje shkallën e lartë të korrupsionit dhe abuzimeve, që sjellin rjedhimisht këtë situatë kaosi dhe pasigurie. /ZOOM.AL/