zoom

Lajme

VIDEO/ Agron Llakaj pas humbjes së bashkëshortes: Sëmundja doli më e fortë, ishte shtylla. Humor…

Aktori i humorit, Agron Llakaj, ka përjetuar këto ditë një nga humbjet më të mëdha të jetës së tij.

Sot ai ka reaguar për humbjen e bashkëshortes së tij Kostandina, e cila nuk ia doli të fitonte betejën e sëmundjen e rëndë, me të cilën luftoi për dy vite. Llakaj, teksa u shpreh njerëzve falendertime për mesazhet ngushëlluese, tha se Kostandina në këto dy vite kishte treguar se ishte jo vetëm shtylla e shtëpisë, por dhe njeriu me karakterin më të fortë.

Ai tregon se bashkëshortja e tij ishte motivi që të vazhdonte të bënte humor dhe pse kishte “thikë në zemër”. “Pas gjithë kësaj beteje, ne e pranuam humbjen, sëmundja doli më e fortë. Ajo ç’ka Konstandina la mbrapa unë shpresoj që fëmijët e mi ta trashëgojnë, dashurinë e madhe njerëzore, respektin”, shprehet ndër të tjera aktori i humorit, ndër të tjera.

Mesazhi i plotë:

“Të dashur miq, në pamundësi për t’ju kthyer përgjigje të gjitha mesazheve drejtuar drejt meje dhe familjes me rastin e humbjes së jetës së njeriut tonë të shtrenjtë, Konstandinës sonë dhe Konstandinës time, unë po ju drejtohem më këtë videomesazh duke iu shprehur falenderimet dhe mirënjohjen e thellë për çdo fjalë zemre drejtuar drejt nesh nga ju. Dihet mirë që edhe gëzimet dhe hidhërimet ndahen me njerëz, të njohur dhe të panjohur. Moria e njerëzve në ditën e përcjelljes së Konstandinës dhe në ditët e pritjes, në një farë mënyre na bëri që për momentin ta kalonim disi më lehtë. Mali i dhimbjes që Konstandina la mbrapa nuk ka fjalë që mund ta shpreh sepse pesha është shumë e madhe, dhe pikërisht dhe për shkak të kësaj dhimbjeje po pranojmë vuajtjen.

I kam lexuar dhe stërlexuar shumë nga mesazhet tuaja, për të ruajtur kujtimin e saj, por ne nuk do të ruajmë kujtimin e saj, sepse ajo është në çdo frymëmarrje tonën, time, të fëmijëve të mi, të mbesës, nipërve dhe të gjithëve.

Ne jetën nuk e zgjedhim, e tillë është. Në dy vite Konstandina tregoi se jo thjesht ishte trau dhe shtylla e shtëpisë, por edhe njeriu me karakterin më të fortë. Në dy vite, në këtë tragjedi njerëzore ,dhimbjeje, në këtë betejë më një sëmundje të pamëshirshme, ishte ajo me karakterin e saj, vullnetin e saj që më dha mundësinë që unë të ushtroja profesionin tim. Të bësh humor me thikën në zemër është e vështirë, motiv ishte Konstandina! Pas gjithë kësaj beteje, ne e pranuam humbjen, sëmundja doli më e fortë. Ajo çka Konstandina la mbrapa unë shpresoj që fëmijët e mi ta trashëgojnë, dashurinë e madhe njerëzore, respektin.

Dua të them shumë, por i prekur dhe i emocionuar nga gjithë pjesëmarrja e njerëzve dua të shpreh falenderimin e madh e mirënjohje. Dua t’ju them, duajeni njëri-tjetrin, respektojeni sepse pasuria më e madhe që zoti mund t’i jap çdokujt është shëndeti. Para shëndetit, jetës dhe njerëzve të familjes, çdo gjë tjetër është shumë e vogël. Paçi ditë të gëzuara, shëndet dhe zemrat plotë! Respekt dhe mirënjohje nga unë personalisht, fëmijët e mi, mbesa dhe nipërit. Faleminderit me zemër!”. /ZOOM.AL/