zoom

Ekonomi

Vetëm me 1 kalim, por hekurudha Tiranë – Durrës vijon të hajë miliona. 40.7 mln euro shtesë

Qeveria do të marrë 40.7 mln euro kredi shtesë për projektin e hekurudhës Tiranë – Durrës dhe degëzimin e ri drejt aeroportit të Rinasit.

Në kuvend ka mbërritur marrëveshja e huasë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që aktualisht ka akorduar edhe një kredi tjetër për këtë projekt me vlerë 36.87 mln euro. Së bashku me kredinë e re, vlera e huasë që do të merret nga BERZH arrin në 77.57 mln euro.

Ndërkaq, sipas relacionit që shoqëron projektligjin në Kuvend, shtesa e huasë do të shërbejë për ndërtimin e tetë godinave të stacioneve hekurudhore dhe sistemimin e shesheve të jashtme përgjatë linjës ekzistuese Durrës-Tiranë dhe të linjës së re që do të ndërtohet për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, me vlerë rreth 10.5 milionë euro. Po ashtu, do të bëhet financimi i shtesës se kontratës së punimeve, si pasojë e indeksimit të çmimeve të materialeve të ndërtimit, me vlerë rreth 29 milionë euro, si dhe financimi shtesë i kontratës së mbikëqyrësit të punimeve, me vlerë 1.2 milionë euro, si pasojë e zgjatjes në afat të kontratës ekzistuese dhe shtesës së kontratës së re për ndërtimin e godinave të stacioneve. Në dokument specifikohet se afati i zbatimit të projektit është data 31 gusht 2025.

Projekti fillestar për rehabilititmin e kësaj linje hekurudhore, përveç kredisë së BERZH bashkëfinancohet nga një grant i Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, në vlerën 35.44 mln euro dhe një granti të BERZH prej 1.1 mln euro. Ndërkaq, qeveria ka deklaruar se është në kërkim të financimit për elektrifikimin e saj, si dhe ndërtimin e segmentit që do të risjellë stacionin e trenit në Tiranë.

Postime të lidhura