zoom

Aktualitet

VENDIMI/ Porositi Dumanin që t’i vriste gruan për 120 mijë euro, Apeli liron avokatin Alban Bengasi

Apeli i GJKKO ka lënë të lirë ish-avokatin Alban Bengasi, i arrestuar më 7 shtator të 2023 në aeroportin e Rinasit, teksa kishte mbërritur nga Dubai dhe kërkohej se porositi vrasjen e ish-gruas së tij te grupi i killerave të Nuredin Dumanit, duke premtuar 120 mijë euro pagesë.

Gjykata njofton se pas ankimimit të avokatit të bengasit, u pranua kërkesa për shuarjen e masës së sigurisë, edhe për tejkalim afatesh të izolimit dhe madje shlyerja e dënimit të shkallës së parë. GJKKO e kishte dënuar vetëm me 1,4 vite burgim avokatin, kurse SPAK kishte kërkuar dënimin me 4,5 vite izolim. Apeli ka pranuar lirimin e Bengasit pas vuajtjes së dënimit.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”, ku në pranga u vu i shumëkërkuari për disa atentate dhe ngjarje të rënda kriminale, Nuredin Dumani, me 32 persona të akuzuar nga 4 organizata kriminale të fuqishme në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Ishte dëshmia e Nuredin Dumanit ajo që ngarkoi përgjegjësinë penale të avokatit Alban Bengasi i cili i kishte ofruar Dumanit 120 mijë euro për të vrarë bashkëshorten. Por ky i fundit nuk pranoi ta vriste, duke u mjaftuar vetëm me një dhunim barbar në mes të rrugës. bengasi më tej nuk pranoi të paguante, pasi porosia nuk ishte kryer.

Njoftimi i Gjykatës:

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja, Dhimitër Lara dhe Engert Pëllumbi, sot më 27.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 173 akti, datë 25.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi A.B., me objekt: Kërkesë për shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg”, dhe vendosi:

◦Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit A.B. me Vendimin nr. 42, datë 17.05.2022 dhe të verifikuar me Vendimin nr. 103, datë 08.09.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

◦Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të të pandehurit Z. A.B. nga ambjentet e paraburgimit, nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor.

◦Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të arsyetuar të vendimit”. /ZOOM.AL/