zoom

Ide & Blog

Vendimi i “Becchetti”-t dhe pasojat e tij juridike për Shqipërinë

Në vend të hyrjes,

Në 9 korrik 2015 në fjalën time gjatë seancës parlamentare, theksova se Kryeministri dhe ministri i Brendshëm po mashtronin qytetarët duke i thënë se pronari i Agon Channel ishte në kërkim ndërkombëtar dhe se ata urdhëruan mbylljen e televizionit për shkak të këtij Urdhëri. (linku:,https://www.youtube .com /watch?v=_qIpqor 3lXs). Arsyeja që denoncova këtë mashtrim në atë kohë bashkë me ish Kryeministrin Berisha, ishte mbrojtja që si opozitarë duhet t’i bënim medias që po i rezistonte kapjes politike, duke denoncuar sa luksin e shfrenuar qeveritar me dasmat e ministrave, ashtu edhe blerjen e votës në Korçë me 20.000 Lekë. Kaq ishte në atë kohë ndjesia ime lidhur me atë që po ndodhte me Agon Channel. Por vite më vonë mësova se unë (dhe të gjithë ne) nuk paskëshim ditur asgjë. Unë nuk e njihja fare dhe as e kisha takuar kurrë Francesco Becchetin në atë kohë.

Ka qënë janar i vitit 2019, pothuajse një vit pasi kisha filluar jetën time si avokat në çështjet e së drejtës private, në një rrjet që merrej më kryesisht me bankat, naftën dhe energjinë në Ballkanin Perëndimor, kur më kontaktoi një nga Studiot ligjore më prestigjioze në Europë. Ata kërkonin të merrja pjesë si ekspert i çështjeve private ndërkombëtare para Gjykatës së Apelit në një shtet të BE (jo arbitrazh). Rrjeti ynë i avokatëve (rreth 200 i themeluar 45 vjet më parë dhe shpërndarë në 12 kryeqytetet e shteteve kryesore, nga Sofja, Praga, Bukureshti e deri në Athinë) kishte kapacitetet profesionale për çështje të energjisë, megjithatë kërkohej pjesëmarrja ime individuale në atë proces civil mes dy kompanive energjitike për një projekt që përfshinte disa juridiksione juridiko-civile. Në atë proces, Shqipëria nuk ishte palë fare, as ndonjë ent i saj shtetëror apo kompani private shqiptare. Puna ime ishte të përgatisja një raport ekspertize ligjore për Gjykatën e Apelit në një vend të BE, punë që në fakt nuk e kisha bërë ndonjëherë në atë rol. Ka qënë ndoshta eksperienca ime më profesionale që kam kaluar ato 6 muaj që punuam mes disa kryeqyteteve të BE me ekipin më të mire të avokatëve, nivelin më të lartë profesional, me seanca që zgjasnin deri në 36 orë pa dalë nga sallat e mbledhjeve, por nuk dua të zgjatem këtu më tepër, pasi për këtë gjë do të shkruaj një herë tjetër.

Qëllimi im është të flas për atë që di për vendimin që duhet të paguajnë shqiptarët.

Njëra nga kompanitë në atë proces civil në Gjykatën e Apelit të një vendi në BE ishte drejtuar nga Francesco Beccheti. Grupi i avokatëve më të mire që kisha takuar deri atëherë, pas orësh të gjata diskutimesh vendosi që në seancën e parë duhej të pyetej Beccheti. Meqënëse ai nuk mund të vinte dot në qytetin ku ne po zhvillonim diskutimet, për shkak të urdhërit të arrestit që kishte lëshuar qeveria shqiptare, si shpjegova më sipër, duhet të shkonim ne ta pyesnim në Londër, atje ku ai jetonte me familjen e vet. Atje unë takova për herë të parë Francesco Becchetin, në vitin 2019, në rolin e ekspertit për ta pyetur, për një çështje që nuk kishte lidhje me çështjen që kishte përfunduar ndërkohë, atë për të cilën do të flasim në këtë shkrim.

Regjimi i punës në studio ligjore britanike është tërësisht i ndryshëm nga regjimi në pjesën tjetër të Europës. Atje punohet me orë të zgjatura pa e ndarë ditën nga nata, dhe me një disiplinë fantastike. Jo më kot janë edhe studio më të paguara në botë. Njëri nga kolegët britanikë më tregoi pastaj nivelin e pagesave për atë regjim pune super hard që zhvillohej dhe aty doli edhe çështja me Shqipërinë për të cilën ata e kishin mbaruar procesin dhe ishin në pritje të vendimit.

Për shkak të rregullit të konfidencialitetit (i cili në të vërtetë më dukej “strange”), vendimi nuk duhej publikuar. E dëgjova këtë pastaj disa herë nga Kryeministri kur u ktheva në Tiranë dhe vijova punën time normalisht me klientët e tjerë.

VENDIMI I ICSID DHE PASOJAT JURIDIKE CIVILE QË VIJNË PREJ TIJ

Vendimi i ICSID ka marrë formë të prerë, pra është definitiv në lidhje me palët në proces sipas VoA. Ky vendim me rreth 270 faqe është rezultat i një procesi të gjatë arbitrazhi dhe një seance dëgjimore 9 ditë rresht, në shtator 2017. (Në atë kohë ne kishim zero informacion se çfarë po ndodhte dhe çfarë rrezikonim: qeveria ishte e zënë me “tepsinë” e pushtetit dhe ne si opozitë me kundërshtimin e qeverisë.)

Pasi doli vendimi i parë dhe ai u ankimua, vendimi i para disa ditëve është definitiv. Pas 4 vitesh palët nuk kanë më asnjë mundësi ta kundërshtojnë atë. Vendimi është dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Huaja, Gjykatë pranë Bankës Botërore në Washington. Nuk është vendimi i ndonjë gjykate apo gjykatësi që mund ta linçojmë këtu. Kjo mundësi nuk ekziston. Nga eksperienca ime e gjatë si avokat, përfshi dhe atë si Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, ky është vendimi i parë që merret për Shqipërinë nga kjo gjykatë (Vendimet e tjera janë marrë nga ICSI në Paris ose Londër, edhe këto gjykata ndërkombëtare arbitrazhi, por jo pranë Bankës Botërore).

Ky është vendimi i parë që merret në vlera kaq të larta, dhe për një çështje kaq të ndjeshme siç është liria e medias dhe dënimi i Qeverisë (shtetit) për këto veprime arbitrare, të kryera me dashje.

Edhe pse tashmë gjithçka ka përfunduar, qytetarët ende nuk kanë vendimin gjyqësor për ta lexuar. Nuk di nëse palët e kanë vendimin e Apelit, por duke qënë se vendimi i fazës së parë është lënë në fuqi, mjafton ta bëjnë atë publik dhe transparent. Sigurisht që nuk kemi asnjë të drejtë t’ja kërkojmë gjyqfituesit dhe as ai nuk ka ndonjë detyrim për të na i dhënë vendimin, por ama qeveria e ka për detyrë ta bëjë transparent atë. Kryeministri në ikje tha se “ka beteja të tjera me këtë investitor”. Edhe mundet, por kjo nuk ka rëndësi në këtë shkrim dhe nuk afekton këtë vendim që do të ekzekutohet. Sesa beteja të tjera arbitrazhi ka, në dijeninë time është kërkuar si informacion nga Presidenti dhe është thënë se nuk ka asnjë të tillë. Qeveria nëpërmjet ministrit të Financave ka thënë se nuk do të paguajë asnjë euro për Becchetin. Kur doli vendimi final, Kryeministri filloi të linçonte gjyqfituesin. Opozita nga ana tjetër po kërkon llogari pse qytetarët duhet të paguajnë dhe kërkon zbardhjen e motivit. Por kjo është një çështje politike dhe unë këtu, sot do mundohem t’i rri pak larg. Qëllimi i këtij shkrimi është të përpiqemi të informojmë qytetarët me njohuritë juridike rreth këtij vendimi.

1. Vendimi final i dhënë ditë më parë siç njofton Zëri i Amerikës, do të duhet të ekzekutohet.

Nuk ka ndonjë mjet ligjor tjetër për ta kundërshtuar në ndonjë instancë tjetër, pra është definitiv. Duke qënë se kjo Gjykatë është pranë BB (WB) do të ketë një presion të shtuar ndaj çdo qeverie, kushdo qoftë ajo, përfshi edhe praktikat e mëparshme me vendime të tjera arbitrazhi. Mesa di, deri më sot nuk ka një vendim në botë të ICSID që të mos jetë ekzekutuar.

2. Vendimi do të paguhet nga buxheti i shtetit

Pra për këtë vendim do paguajnë jo vetëm demokratët, por edhe socialistët e thjeshtë, edhe punëtorët, edhe bujqit, edhe nënat e vajzat që punojnë me orë të zgjatura në fasoneri, edhe mësusesët, mjekët. Të gjithë. Ndaj po dal pak këtu nga ajo që ju premtova më sipër, duke i thënë çdo lexuesi, se kur t’ju vijnë këto ditë kandidatët e qeverisë për mandatin e tretë, pyetini thjesht: pse duhet të paguajmë ne, si socialistë, demokratë, qytetarë të thjeshtë nga buka e fëmijëve tuaj një gjobë kaq të madhe vetëm nga “marria” e kryetarit tuaj?

3. Vlera e vendimit nuk është vetëm 110.000 ml euro

Nga eksperienca ime mendoj se do të duhet të paguhen edhe kostot shtesë:

a. Kostot gjyqësore, që duhet të jenë më shumë se 8.222.238 eur pasi “gjyqhumbësi i madh” do duhet të paguajë edhe për avokatët e palës tjetër. Nuk e di sa janë paguar avokatët e tij dhe sa janë kostot, por me durim, do t’i mësojmë.

b. Kostot e Arbitrazhit në ISCID shkojnë diku tek 645.183 Usd

c. Interesat bankare për shkak të vonesave dhe refuzimit të “Gjyqhumbësit të madh”, si rregull janë diku tek Libor +3% nga dita e vendimit të parë, që në mos gaboj është në vitin 2018.

d. Ka dhe një dëm në disa mln eur që nga kjo gjykatë është llogaritur për ortakun tjerët “Fuqi” shpk, por nuk është pjesë e Urdhërimit për mungesë juridksioni për ICSID pasi kjo kompani nuk ishte investitor i huaj. Megjithatë në rastin më të keq për Shqipërinë, kjo mund të përbëjë “res judicata”.

Pra vlera minimale që ne dimë deri tani është rreth 119 mln eur plus interesat prej vitit të daljes së vendimit derisa ai të ezkekutohet, ndërkohë pjesën tjetër do e mësojmë kur qeveria të publikojë vendimin final.

VENDIMI I ICSID DHE PASOJAT JURIDIKE PËR ATA QË E SHKAKTUAN

Më kujtohet takimi i parë në HLD në Sheraton pak muaj pasi Rama ishte bërë Kryeministër, kur i thashë në prani të ish komisionerit Fyle, ministrave dhe kolegëve të mi se Rama nuk është kryeministri ekzotik që sillet në takimet në Europë, por është shembulli me të gjitha premisat për të qënë një kryeministër me simptomat e autoritarizmit të theksuar, injorimit të ligjit dhe Kushtetutës, blerjes së mediave dhe luftës ndaj atyre që e sulmojnë. Nuk do flas sot as për reagimin e Ramës, dhe as të kolegëve të tij apo ato më pas, por e kujtova këtë episod për të treguar që përpjekjet tona si opozitë për të ndalur këtë që erdhi, nuk kanë ndalur që nga dita e parë, edhe në Parlament në 2015, kur ai mori vendimet ogurzeza që sollën këtë vendim ogurzi për financat shqiptare dhe gjithë Shqipërinë.

Meqënëse nuk e kemi lexuar ende vendimin, ajo që dimë deri tani janë informacionet e përcjella në mënyrë sporadike nga media. Ditë më parë gazetari Andi Bejtja kishte bërë një shkrim të saktë lidhur me rrethanat e asaj që kishte ndodhur, me data dhe orë. Ne të tjerët, përfshi dhe mua që kam folur në Parlament në korrik 2015, kujtonim se kjo po ndodhte sepse Rama donte t’i mbyllte gojën medias që nuk ishte e tija. Mediat e tjera nuk treguan gjë tjetër në atë kohë dhe as më pas. Kryeministri thoshte se kishte Urdhër Ndërkombëtar arresti për pastrim parash, por koha tregoi se ai kishte mashtruar. Kur doli vendimi i fazës së parë në 2018, ai tha se vendimi ishte konfidencial dhe nuk dha asnjë të dhënë dhe shtoi se do e fitonte betejën, madje me siguri ka paguar edhe më shumë avokatët e qeverisë për fazën e dytë. Se sa ka paguar do duhet ta mësojmë. Ndërkohë ministrat e qeverisë përbetoheshin nëpër studio se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se do t’i paguanin zero lekë Becchetit.

Kur doli vendimi përfundimtar, Kryeministri në ikje, tha se kishte beteja të tjera dhe se gjyqfituesi ishte “marifetçi”. Linçimi është një mënyrë për t’i ikur përgjigjes, por siç thonë latinët, “Fjalët i merr era, e shkruara ngelet”. Dhe qytetarët duan të dijnë të vërtetën e shkruar. Këtë herë të vërtetën do ta mësojmë nga ajo që kanë shkruar gjyqtarët e ICSID, në Washington. Të vërtetën do ta dëgjojmë jo nga goja e politikanëve këtu, e as nga goja e gjyqtarëve shqiptarë, për të cilët e kemi kaq të lehtë që t’i linçojmë e degradojmë. Vendimi final do të jetë zëri i së vërtetës për këtë çështje, larg medias servile të kryeministrit në ikje dhe larg makinerisë së baltës që ato hedhin prej mëngjesit, për të pritur kockën e pushtetit në darkë, në shërbim të tij dhe në shërbim klientëve të tij, që i paguajnë për suportin qeveritar.

Këtë herë vendimin do e dëgjojmë jo nga një, por nga dy trupa gjykatësish, të cilët as Kryeministri në ikje, as qeveria në ikje dhe as media servile e baltëhedhëse nuk do mund t’i linçojnë dot.

Qytetarët shqiptarë, demokratë e socialistë do të dëgjojnë dhe lexojnë të zezën mbi të bardhë se pse duhet të paguajnë më shumë se 119 mln eur. Kush e kishte fajin për këtë? Kush e shkeli ligjin dhe kush ishte përgjegjës?

Përmes 272 faqeve do të duhet të njihen me të paktën 70 episode ku “marifetçinjtë” që përmenden në vendim, kanë vepruar me dashje, njëri 42 herë, tjetri 12 herë dhe një tjetër 9 herë. Do të jenë pikërisht ato 272 faqe vendim i shkruar nga gjykatës amerikanë që do të zbardhin të paktën 70 episodet, dhe padyshim fytyrën sesi funksionon ky shtet, njëlloj si një regjim autoritar.

Do duhet durim, që të lexojmë me vëmendje vendimin dhe të shohim pastaj rolin e secilit në këtë dëm të jashtëzakonshëm që ju shkaktua shtetit shqiptar, kush ishte urdhëruesi, ekzekutuesi, organizatori, kush dërgonte sms, kush telefononte etj, etj.

Deri atëherë kur të lexojmë vendimin ne duhet të presim, ndërsa ata që e kanë shkaktuar, për fatin e tyre të keq nuk kanë asnjë mundësi që t’i ikin përgjegjësisë.

VENDIMI I ICSID DHE PASOJAT PËR MEDIAN E LIRË

Vendimi i një Gjykate Ndërkombëtare që dënon një shtet (qeverinë) për mbylljen e një media, është padyshim lajmi më i mirë për median e lirë në Shqipëri dhe në të gjitha vendet me qeveri autoritare, si kjo në ikje. Kur ne të gjithë të lexojmë vendimin, jam i bindur se mediat e pavarura do të duhet të gëzohen. Por unë mendoj se edhe mediat qeveritare do të gëzohen. Sepse pavarësisht se nesër nuk do të jetë kjo qeveri, të cilës ato i kanë shërbyer me kaq zell në këto 8 vite, as Kryeministri i rradhës dhe as ai që do të vijë pas tij, nuk do të guxojë që të bëjë atë që ky Kryeministër i bëri Agon Channel, si një media kundërshtare e tij.

Dhe ky ndoshta është i vetmi lajm i mirë nga vendimi i ICSID.

* Avokat, Ekspert i çështjeve të së drejtës private