Aplikacion
Në postimin e gjatë në Facebook, ai e akuzon prokurorin për sajesë dhe kurth banal, ndërsa denoncon faktin që prej ditësh krerët e kulteve fetare kanë kërkuar takim me të në paraburgim, por prokurori Dado nuk i lejon.
“Gardianët e sjellshëm, njoftojnë, në çdo birucë, të paraburgosurit për takimet e ditës. Por, si çdo ditë, mua më thonë se nuk ka ardhur asnjë miratim nga Ols Dado, madje nuk janë miratuar as kërkesat e drejtuesve fetarë të kulteve, që prej ditësh kërkojnë takime me mua. Nuk kam fjalë! Zot, fali ata, se nuk dinë ç’bëjnë! Por, me Zotin para, nuk do rresht asnjë ditë pa çmontuar çdo sajesë në këtë kurth banal, të paparë që nga viti 1991!”.
Veliaj sqaron gjithashtu edhe shpenzimet në Roterdam, të cilat sipas tij janë paguar nga shtëpia e Arkitekturës OMA, duke i bashkangjitur dhe foton e dokumentit që vërteton shpenzimet dhe jo jo biznesmeni Fatmir Bektashi. Ai thekson se bashkëshortja e tij nuk ka qenë në atë udhëtim.
“Në Roterdam kam shkuar me ftesë dhe shpenzime të mbuluara nga OMA, Office of Metropolitan Architecture, shtëpia më e madhe e Arkitekturës, e themeluar nga Rem Koolhaas dhe Reinier de Graaf. Kam shkuar në Roterdam, ashtu siç shkon Ols Dado jashtë vendit, me shpenzime të paguara nga ekspertë të huaj ligjorë. Vetëm një prokuror ndërtues që kërkon favore mund të mendojë se kryetari i Bashkisë më të madhe në vend “korruptohet” me një udhëtim jashtë vendit për të dhënë leje pallatesh! Gruaja ime NUK ka qenë në atë udhëtim, jam shoqëruar nga drejtori i Urbanistikës në atë kohë; pra, ishte udhëtim pune, jo qejfi. Madje, ime shoqe nuk ka qenë kurrë në Roterdam, as për punë, as për pushime”.
Gjithashtu kryebashkiaku i kryeqytetit shprehet optimist për fitoren në zgjedhjet e 11 majit sikurse në zgjedhjet e shkuara.
“Kush do të më shohë keq për sportin e pistë të politikës së ditës, thjesht tregon pafuqinë e atyre që i mundëm 7 herë rresht në Tiranë, me votë, jo me kurthe anonime, e që do ua bëjmë 8 me 2 (dyshin e them për batutë, se do dalë 8 me 0) në 11 Maj, së bashku me ata që e duan qytetin, vendin, Europën, dhe të bukurën në jetën tonë”.
Veliaj “lëviz gurët” kundër Ols Dados, letër ILD-së dhe KLP-së: Pezullojeni nga detyra!