zoom

In Zoom

Veliaj, koncerte për vota deri në 2 të natës. Shqetësohen mijëra banorë të Tiranës

Tirana po gëlon nga koncerte e aktivitete që Bashkia po zhvillon si qyteti europian i rinisë. Me afrimin e finales së Conference League, gjthçka duket sikur është shumëfishuar. Sheshet e zonat kryesore janë plot me qytetarë që ndjekin grupe të ndryshme muzikore apo muzikë me DJ.
Deri këtu duket gjithçka në rregull, nëse party-t e zhurmshëm nuk do të vazhdonin me tërbimin e muzikës që del nga bokset moderne e të paguara shtrenjtë, deri në 2 apo 3 të natës, duke zhurmuar edhe zonat e banuara, aty ku jetojnë familje me fëmije, të moshuar e prindër që u duhet të zgjohen herët për të shkuar në punë.

Nëse zgjedh të dëfresh sot diku në Tiranë, “aktivitetin” duhet të sigurohesh që ta përfundosh brenda orës 00:00. Më tutje mbyllet gjithçka. Nëse bën muzikë me volum të lartë, policia nuk vonon, të paktën në ato lokale që s’kanë të njohur shefa policie e politikanë.

Por në koncertet e zhurmshme të Bashkisë, policia është palë. Ajo madje sigurohet që askush të mos e ndalë zhurmën, të mos e prishë poteren që po bën vetë Bashkia, një zhurmë torturuese për qytetarët që janë në shtëpitë e tyre.

“Nuk po mundemi dot të flemë”, shprehen disa prej tyre në një prononcim për Zoom.al, teksa shtojnë se shqetësimin e kanë edhe më të madh për fëmijët dhe të moshuarit e shtëpisë.

“Nuk kemi as ku të ankohemi, se nuk bëhet fjalë për lokale, por për vetë pushtetin që na bombardon me zhurma deri në 3 të natës”.

“Tirana kryeqytet europian i rinisë 2022” po shfrytëzohet në maksimum nga kryebashkiaku Veliaj si një mundësi për të siguruar sa më shumë mbështetje nga qytetarët. Vitin e ardhshëm ai do të duhet të përballet sërish me votime, të cilat janë thelbësore për karrierën e tij politike. Ai duhet ta fitojë me çdo kusht Tiranën, nëse do të dojë të ndjekë ëndrrën që e stërmundon prej kohësh që të jetë pasues i Edi Ramës në Partinë Socialiste.

Zhurma që po u bën në pikë të natës familjeve të shumta është vetëm një dëm kolateral. Ai po përpiqet fillimisht të sigurojë votat e rinisë, për të cilët organizohen edhe këto  aktivitete. Familjeve do t’u vijë radha më pas, me punësime, premtime e patronazhime. /Zoom.al