zoom

Aktualitet

Vdekja e 22-vjeçares nga Kenia, shoqërohet në polici shoferi i kazinosë

Shoqërohet në polici shoferi i kazinosë në të cilën punonte 22-vjeçarja nga Kenia, e cila humbi jetën pak ditë më parë.

Bëhet me dije se shoferi është identifikuar si Rodi Barçi, teksa ky i fundit u shoqërua në komisariatin nr.1 në Tiranë.

22-vjeçarja kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino. Pas hetimeve të kryera që prej gushtit, Prokuroria e Tiranës e cila e ka regjistruar çështjen për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje e ka rikthyer hetimin sërish në polici ku i janë lënë detyra të veçanta oficerëve të komisariatit nr. 1 në kryeqytet.

Oficerët e policisë kanë ripyetur disa persona për të sqaruar paqartësi apo mospërputhje mes deklarimeve të tyre dhe pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë.

E para që u ripyet ishte shoqja e dhomës se 22-vjeçares e cila është nga Gana. Po ashtu janë pyetur edhe stafi i kazinosë dhe shoferi që e transportoi 22-vjeçaren në rezidencë pak orë para se të gjendej nga banorët jashtë rezidencës në gjendje të rëndë.

Në ndihmë të hetimit priten të jenë dhe akte nga policia shkencore të marra nga dhoma e 22-vjeçares po ashtu edhe nga trupi i saj për të identifikuar personat që ajo ka takuar para ngjarjes që i rrezikoi jetën.

Nisur nga ekspertiza mjekoligjore dëmtimet më të mëdha në trupin e të resë janë shkaktuar nga rënia nga lartësia, prandaj policia ka dyshime se atë mund ta ketë shtyrë dikush nga dhoma ku qëndronte.