zoom

Aktualitet

VAPA/ Pas shkurtimit të orëve të punës, Kosova ndalon dhe lëvizjen e mjeteve! Po në Shqipëri…?

Kosova është ndër të paktat shtete që ka marrë dhe lajmëruar masa parandaluese me qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve në këto ditë të nxehta vere.

Fillimisht u njoftua zyrtarisht shkurtimi i orarit të punës dhe tani ai i lëvizjes së disa mjeteve. Shqipëria si gjithmonë mbetet e fundit në këtë drejtim, pasi edhe pse është njoftuar mbërritja e “ferrit saharian” që prej kësaj fundjave, nuk është marrë asnjë masë ndihmëse ndaj qytetarëve e për më tepër zjarret prej ditësh shkrumbojnë hektarë me pyje.

Nga e diela, 14 korrik, deri më 31 korrik, njoftohet se do të ndalohet qarkullimi i automjeteve me peshë mbi 7.5 tonë në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale, njoftoi “Koha.net”. Kjo vjen bazuar në rekomandimet e Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rrugëve nga dëmtimet si rezultat i temperaturave të larta.

“Ndalohet qarkullimi në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale për të gjitha automjetet e transportit të mallrave me peshë më të madhe se 7.5T. Ky vendim vlenë nga data 14 korrik 2024 deri më 31 korrik 2024 për periudhën nga ora 11:00 deri në ora 17:00”, ka njoftuar përmes Facebookut, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi. /ZOOM.AL/