zoom

Aktualitet

Urdhri i kryepolicit Rrumbullaku lë efektivët pa pushime verore. Zbulohen shkaku dhe kohëzgjatja

Duke nisur nga data 20 qershor (sot) dhe deri në muajin shtator, asnjë punonjës policie nuk do të bëjë pushime verore.

Ky është urdhri i fundit i marrë nga Policia e Shtetit dhe duket i firmosur nga vetë kreu i saj, Muhamet Rrumbullaku.

Urdhri në fjalë është marrë në kuadër të mbarëvajtjes dhe sigurimit kushteve të sezonit turistik, që ka dinamikë aktivitetesh dhe problematikash të shumta, teksa kërkon mbulim edhe të të gjithë territorit bregdetar.

Që prej nisjes së sezonit turistik policia është angazhuar në terren, duke forcuar kontrollet dhe patrullat, për të siguruar rendin dhe sigurinë për pushuesit shqiptarë dhe ata të huaj.

Dinamika operacionale në verë është e ndryshme, nga ngritja e postave policore në plazhe, shtimi i postblloqeve rrugore, gjurmimi i personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit që vijnë për pushime dhe sigurisht siguria e rendi dhe veçanërisht ngjarjet kriminale, si atentatet e porositura për konflikte të importuara nga jashtë vendit kryesisht, teksa bandat rivale lajnë hesapet mes tyre. /ZOOM.AL/