zoom

Bota

Ura që lidh dy brigjet e Kroacisë kundërshtohet nga Sarajeva, Plenkoviç: Bashkon kombe dhe njerëz

Përurohet në Kroaci ura e Peleshacit, që lidh dy brigjet kroate të ndara nga një pjesë e vogël e territorit të Bosnje-Hercegovinës.

Ura 2.4 kilometra e gjatë, e cila kushtoi 420 milionë euro është financuar nga Bashkimi Evropian dhe u ndërtua nga një kompani kineze.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes ishte dhe kryeministri Andrej Plenkoviç, i cili u shpreh se ura përmbush ëndrrën që ka ekzistuar për kohë të gjatë, për të lidhur brigjet e Adriatikut. Kjo urë sipas tij, do të bashkojë kombe dhe njerëz.

Rrugët lidhëse dhe ura pritet të finalizohen në qershor të vitit të ardhshëm.

Deri atëherë, udhëtarët që dëshirojnë të vizitojnë destinacionet më të njohura të Kroacisë, siç është Dubrovniku, ende do të duhet të kalojnë dy pika kufitare mes Bosnje Hercegovinës dhe Kroacisë.

Zyrtarët e Sarajevës nuk kanë qenë të lumtur kur ka nisur ndërtimi i projektit, duke pretenduar se ura, që i shmanget territorit të Bosnje-Hercegovinës, shkel të drejtën sovrane për qasje në ujërat e Adriatikut.