zoom

Aktualitet

“Unë ta zgjidh këtë punë”- Zbardhet dosja e vrasjes së Liridonës

Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, organizuesi i krimit, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla.
“Sot duhet të kryhet kjo punë”, mësohet t’i ketë thënë ai duke iu referuar vrasjes së gruas së tij.Sipas dosjes së prokurorisë takimi ka ndodhur në orën 9:30 të mëngjesit në qendër të Gjakovës.

Ata ishin takuar edhe një javë para se të ndodhte krimi makabër,ndërsa Murseli i ka treguar Kokallës lidhur me problemet që kishte asokohe me të ndjerën.

Sipas dosjes së prokurorisë Kokalla ishte shprehur i bindur se këtë punë duhet t’ja lëri atij në dorë pasi do ja zgjidhte,ndërsa më pas diskutuan për aksidentin e inskenuar të grabitjes.

Pas këtij takimi Naim Murseli, kërkoi numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë . Të mërkurën e 29 nëntorit të këtij viti rreth orës 20:25 Murseli kishte siguruar armën dhe më pas ia kishte dorëzuar ekzekutorit.

Fill pas kësaj ata zbatuan planin për të cilin kishin biseduar më parë. Si fillim Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre. Papritmas del para makinës autori Granit Plava me maskë në kokë dhe armë në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijët ka dalë nga automjeti dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Në automjet mbeti vetëm e ndjera Liridona Murseli, e cila u qellua me një plumbë në pjesën e qafës duke mbetur e vdekur në vend.

I gjithë ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij krimi.

Sot në seancën e mbajtur avokati i Murselit deklaroi se klienti i tij nuk e kishte kryer veprën siç ishte përshkruar në dosjen e akuzës dhe theksoi se ai nuk ka qenë i përfshirë në aktin e vrasjes.

Në përpjekje për të shmangur paraburgimin, avokati Ahmeti kërkoi nga gjykata që të mos e aprovojë kërkesën e prokurorisë ose, në të kundërt, të caktojë një masë më të butë, alternative. Por kjo kërkesë nuk u pranua nga ana e gjyqtares.