Aplikacion
Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, kryetari i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiqi, tha se planifikimi i ndërtimit të urës mbi lumin Buna, e cila do të lidhte Ulqinin me Velipojën, do të zhvillonte turizmin ndërshtetëror duke zvogëluar distancat mes dy vendeve turistike.
Bregdeti i Ulqinit cilësohet si vendi më i preferuar turistik në Malin e Zi. Plazhet me një vijë bregdetare shumë të gjatë dhe me biodiveroistet të pasur ofrojnë vlera të veçanta turistike. Planifikimi i ndërtimit të urës mbi lumin Buna, e cila do të lidhte Ulqinin me Velipojën, sipas kryetarit të Organizatës Turistike, Qazim Hoxhiqi, do të zhvillonte turizmin ndërshtetëror duke zvogëluar distancat mes dy vendeve turistike.
“Ndërlidhja mes dy vendeve shkurton distancën në disa minuta të Plazhit të Madh që është destinacion i rëndësishëm jo vetëm për turistët në rajon por edhe më gjerë. Ura ofron mundësi më të shpejta dhe nuk ka nevojë të kalohet nëpër disa pika kufitare ku ka flukse të mëdha,” thotë zoti Hoxhiqi.
Parakusht i rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, sipas zotit Hoxhiqi është edhe vjelja e taksës, e cila në këtë komunë realizohet online duke rritur dukshëm kapacitetet e saja.
“Vitin e kaluar kemi realizuar një aplikacion online, ku jemi të parët si komunë në Malin e Zi që është në funksion. Kjo mënyrë e vjeljes së taksës, vitin e kaluar kishte një sukses të madh ku 10-15% të taksapagueseve e kanë përdorur këtë aplikacion, ndërsa këtë vit besojmë dhe punojmë për të realizuar 40-50 % të pagesave”, thotë Hoxhiqi.
Në bregdetin e Ulqinit turizmi sportiv është mjaft i popullarizuar dhe sipas Hoxhiq “Plazhi i Madh” është ndër dhjetë plazhet më të mira në botë për sportin “kitesurf”. Hoxhiqi vlerëson se falë angazhimit dhe menaxhimit bashkëkohorë, Ulqini është shndërruar në një qendër të njohur turistike duke i ndjekur gjithnjë e më shumë trendët globale të turizmit. /VOA/