zoom

Bota

U zhdukën në fund të oqeanit/ Shpallen zyrtarisht të vdekur 5 personat në bordin e “Titan”

Pasi oksigjeni në nëndetësen e tyre “Titan” mbaroi paraditen e kësaj të enjteje, sipas përllogaritjeve të bëra nga ekspertët, pesë personat që ishin në bord u shpallën zyrtarisht të vdekur këtë pasdite.

Njoftimi zyrtar për humbjen e tyre në mënyrë tragjike e dhanë si policia, ashtu edhe kompania që ofronte eksplorime për të parë nga afër anijen e “Titanic” të fundosur.

Në një konferencë shtypi, Admirali John Mauger konfirmoi se është gjetur koni i nëndetëses së zhdukur, afërsisht 487 m (1600 këmbë) nga harku i Titanikut.

“Në emër të Rojës Bregdetare të SHBA dhe të gjithë komandës së unifikuar, unë u ofroj ngushëllimet më të thella familjeve. Unë vetëm mund ta imagjinoj se si ka qenë kjo për ta dhe shpresoj që ky zbulim të sigurojë pak ngushëllim gjatë kësaj kohe të vështirë”, shtoi ai.
Ndërsa kompania “OceanGate”, që kishte në pronësi nëndetësen e zhdukur, në një deklaratë për mediat shprehu ngushëllime për familjarët.

    Deklarata e plotë e OceanGate

CEO ynë Stockton Rush, Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleman Dawood, Hamish Harding dhe Paul-Henri Nargeolet, fatkeqësisht kanë humbur jetën. Këta njerëz ishin eksplorues të vërtetë që kishin një dëshirë dhe një pasion të thellë për të eksploruar dhe mbrojtur oqeanet e botës. Zemrat tona janë me të ndjerët dhe çdo pjesëtar të familjeve të tyre gjatë kësaj kohe tragjike. Ne do të kujtojmë me pikëllim dhe gëzim atë çka ata sollën për të gjithë publikun.
Kjo është një kohë jashtëzakonisht e trishtë për punonjësit tanë të përkushtuar, të cilët janë të rraskapitur dhe të pikëlluar thellë për këtë humbje. E gjithë familja OceanGate është thellësisht mirënjohëse për burrat dhe gratë e panumërta nga organizata të shumta të komunitetit ndërkombëtar që kanë punuar kaq shumë në këtë mision. Ne e vlerësojmë angazhimin e tyre të palodhur për ditë dhe netë me radhë për të gjetur këta pesë eksplorues. Kjo është një kohë shumë e trishtë për të gjithë komunitetin e eksploruesve dhe për secilin nga anëtarët e familjes së atyre që humbën në det.

Viktimat janë: Paul-Henri Nargeolet, Hamish Harding, Shahzada Daëood, Sulejman Davudi, Stockton Rush.