zoom

Aktualitet

U vra në Itali/ Kasem Kasmit i bëhet autopsia. Misteri i parave të gjetura në shtëpinë e autorit

Arsyeja pse dy banda shqiptarësh u përplasën me njëra-tjetrën mbrëmjen e të shtunës në një lokal në Frosinone të Italisë, ku mbeti i vrarë 27-vjeçari Kasem Kasmi, nuk janë zbardhur ende nga autoritetet italiane.

Trupi i Kasem Kasmit ndodhet në morgun e spitalit “Fabrizio Spaziani”, në Frosinone, ku ditën e djeshme i është nënshtruar autopsisë për të zbardhur më shumë detaje mbi shkaqet e vdekjes së tij. Rezultatet e autopsisë do të dalin pas 60 ditësh.

Nga dëshmitë dhe hetimet e deritanishme, ajo çfarë dihet është që 27-vjeçari u qëllua në fyt me armë nga 23-vjeçari Mikea Zaka.

Ky i fundit është i vetmi i arrestuar deri tani për ngjarjen tronditëse.

Ai ka deklaruar para grupit hetimor se zënka mes tyre nisi për një vajzë. Por kjo pistë nuk është fort e besueshme nga autoritetet. Për këtë arsye, po hetohet edhe për konflikt për çështje parash.

Sipas mediave italiane, korrikun e kaluar, në shtëpinë e Mikea Zakës u gjetën 20 mijë euro cash, është mister nga vinin këto para dhe të kujt ishin.

Përveç motivit, për hetuesit mister mbetet edhe arma e krimit, e cila nuk është gjetur akoma.

Nga të shtënat me armë zjarri, të shtunën, mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë, të cilët përfunduan në spital njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.