zoom

Aktualitet

U dënua nga Apeli i GJKKO, arratiset ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj

Ish-kreu i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj është arratisur. Ai do duhej të kthehej në qeli për të vuajtur dënimin e Apelit të GJKKO me 2 vite e 8 muaj për çështjen e tjetërsimit të 66 mijë m2 tokë te Rana e Hedhun.

Burime bëjnë me dije se Frrokaj nuk është gjetur në banesë gjatë kontrolleve që janë bërë për të ekzekutuar urdhrin e SPAK për kthimin e tij në qeli.

Sipas informacioneve dhe verifikimeve të Prokurorisë së Posaçme në sistemin TIMS, Frrokaj ndodhet në territorin e Shqipërisë. Ndërkohë, vijojnë kërkimet për gjetjen dhe rikthimin në qëli të ish-kryetarit demokrat të Lezhës.

Më 23 dhjetor, Apeli i Posaçëm e dënoi Frrokajn me 2 vite e 8 muaj burg, duke e shpallur fajtor për tjetërsimin e 66 mijë metra katrorë tokë te ‘Rana e Hedhun’ në Lezhë. Apeli prishi vendimin e GJKKO-së që kishte dënuar Frrokajn me 1 vit e 4 muaj burg dhe pranoi kërkesën e prokurorit Dritan Prenci për një dënim 4 vite, i ulur me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Me këtë verdikt Frrokaj duhet rikthehet në qeli dhe të vuajë dënimin e ri, pas dënimit të parë për tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Shëngjinit, i dënuar nga Apeli i Shkodrës me 3 vite burg, por përfitoi nga amnistia duke u liruar.

Për këtë çështje, Apeli GJKKO-së shpalli fajtor edhe të pandehurin Bledar Cara, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, dhe dënimin me 2 vite burgim, ku për shkak të gjykimit të shkurtuar zbret në 1 vit e 4 muaj burg. I njëjti dënim u dha edhe për ish zyrtaren e bashkisë Juxhina Mema, por dënimi me burg për të, u pezullua në shërbim prove. Gjithashtu Apeli ka lëne në fuqi edhe vendimin për konfiskimin e 66 mijë metra katrorë tokë të ‘Rana e Hedhun” e cila tashmë i kalon shtetit.

Postime të lidhura