zoom

Aktualitet

U dënua me 9 vite burg për përdhunimin e shqiptares, Robinho arrestohet në Brazil

Ish-futbollisti i Kombëtares braziliane Robinho është arrestuar për të vuajtur dënimin me 9 vite burg për përdhunim.

Ai u dënua në Itali për përdhunimin në grup të një 22-vjeçareje shqiptareje në një klub nate në Milano në vitin 2013.

40 vjeçari Robinho  u arrestua në banesën e tij në qytetin e tij të lindjes, Santos.

Qeveria italiane kishte kërkuar që ai të vuante dënimin në Brazil pasi nuk arriti ta ekstradonte.

Të mërkurën, një gjykatë në Brazil la në fuqi vendimin dhe gjithashtu vendosi që ai duhet të vuante dënimin pas hekurave në vend të arrestit shtëpiak.

Të enjten, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë refuzoi një kërkesë për ndalimin e paraburgimit të tij.

Veprimi vendimtar i marrë nga sistemi i drejtësisë braziliane është përgëzuar mes frikës se Robinho do t’i shmangej drejtësisë falë famës dhe pasurisë së tij.

Ish-futbollisti brazilian, i cili ka 100 paraqitje për vendin e tij, luante për AC Milan në perudhën kur ndodhi përdhunimi në grup i shqiptares. Pasi u shpall fajtor, ai humbi një apel në vitin 2020 përpara se gjykata më e lartë e Italisë t’i lërë në fuqi dënimin e tij në 2022.

Më pas prokurorët italianë lëshuan një urdhër arresti ndërkombëtar për të.

Futbollisti, i cili kaloi dy vite me Manchester Cityn, tha për një media braziliane të dielën se seksi ka qenë “konsensual”.